Pacientët e Sanatoriumit zhvendosen në Elbasan, mjeku Mezini: Godina është zbrazur

Mjeku pneumolog Arjan Mezini ka thënë live në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 se tashmë Sanatoriumi i Tiranës është zhvendosur në Elbasan në Spitalin Rajonal, tek një nga klinikat e saj.

Po ashtu ai qartëson se Sanatoriumi është boshatisur tashmë dhe po organizohet për të pritur javën e ardhshme rastet e para. Mezini thotë se rastet e para me koronavirusin në Sanatorium do të vijnë vetëm kur të plotësohen kapacitetet e Spitalit Infektiv teksa disponon 190 shtretër në dy klinika.

”Po Sanatoriumi është zbrazur, pacientët tani do orientohen drejt spitalit Rajonal të Elbasanit ku është krijuar një nga klinikat, një nga shefat do mbajë një grup mjekësh pneumologë. 190 shtretër në Sanatorium.  Në dijeninë time, një pjesë infermierë numri i mjekëve të prekur është 4-5, përqindja më e madhe e tyre e ka kaluar në rast asimptomatik, pra kollë të lehtë, temperatyrë apo dhimbje muskujsh.”- tha Arjan Mezini.

Mjeku pneumolog Arjan Mezini në një lidhje live për emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka thënë se në Sanatorium aty ku punon ai ka zyrtarisht 4-5 mjekë të infektuar por numri sipas tij është më i lartë.

Mezini shprehet se dhe vetë ka dyshime se ka qenë i prekur nga koronavirusi 2-3 javë më parë pasi ka pasur kontakte me persona që kanë rezultuar pozitivë por duket se e ka kaluar pa simptoma.

Po ashtu Mezini sjell edhe shembullin e Gjermanisë duke thënë se po testohen shumë mjekë dhe infermierë që të ketë garanci dhe siguri në trajtimin e pacientë dhe luftimin e koronavirusit dhe ai i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë ta marrë parasysh këtë kërkesë.

Pneumologu thotë se koronavirus nuk ka dallim nga AH1N1 por vetëm se prej këtij të dytit tashmë popullata ka fituar imunitet.

”Absolutisht, kanë qenë në një kujdes më të veçantë duke pasur parasysh këtë virus. Sanatoriumi është mbyllur dhe do të kthehet në COVID-2 pas ezaurimit të vendeve tek spitali tjetër.

Shiko, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një virus të ri që organizmi jonë nuk ka memorie imunitare. Dhe shkakton probleme më shumë se një virus i mëparshëm.

Nëse do kishim trupa mbrojtëse nuk do ishte kaq agresiv dhe do kalonte si grip sezonal. Atëhere, po flas për komplikacionet, organi kryesor është mushkëria që goditet. Shfaqet me pneumoni virale, ndodh ajo që qeskat e trasha mbushen me lëng dhe bëhet e pamundur absorbimi i oksigjenit nga ku bëhet dhe shpërndarja e gjakut. Dhe mungesa e oksigjenit e fut në një stres organizmin.

Ne nuk jetojmë dot pa oksigjen. Mungesa e oksigjenit fut qelizat dhe indet në një proces të vështirë dhe organet kolapsojnë.

Pacientë që vuajnë nga mungesa e oksigjenit pësojnë infarkt nga kjo. Mushkëria gjendet në një mënyrë të papërgatitur dhe shkakton stres që çojnë në vdekje.

Kemi dhe dëmtim të zemrës së djathtë që çon në kolaps të qarkullimit të gjakut.

Më lejo të shfrytëzoj diçka. Ka shumë diskutime, unë nuk jam epidemiolog por ndjek me zhvillim në Gjermani si një nga më të suksesshme. Aty po testohet gjërësisht në mënyrë kapilare dhe krijon pasqyrën. Por ajo që vë re unë, është psh që në Hamburg ka filluar dhe testimi i personelit shëndetësor si një nga më të prekurit. Pas prekjes fillojnë shfaqjen e trupave mbrojtëse. Duke pasur një pasqyrë të personelit shëndetësor atëhere ka një qetësi për trajtimin e pacientëve.

Unë jam i mendimit që personat ose ne si personel që jemi afektuar numri duhet të jetë më i madh dhe prandaj e kërkoj me insistim. Duke ditur numrin e personelit të afektuar atëhere mund të kemi një pasqyrë edhe për trajtimin e pacientëve. Pacienti që ka shenja klinike është më identifikueshëm, por dyshimi mund të jetë shumë i madh që shumë nga ne janë të infektuar.

Jemi shumë shpejt, studimet do tregojnë. Personat që janë asimptomatikë sistemi i tyre ka reaguar shpejt. Jo, këtë nuk mund ta them ka studime që do e tregojnë por persona asimptomatikë e kanë kaluar. Janë personat me imunitet të dobët, të moshuarit, kanë sistem të dobët.

Stresi respirator është dështimi i frymëmarrjes apo mushkërive që dëmton alveolat dhe e thënë thjesht bëhet i pamundur shkëmbimi i gazeve. Nëse vijojmë të ndjekim rekomandimet, izolim, distancim, higjienë do të kemi sa më pak nevojë për respiratorë.

Në dijeninë time janë 72 të shtruar tek Infektivi, ndoshta javën tjetër presim rastet e para. Puna është ndarë në dy klinika. Nëse mbushet klinika e parë do vijohet me të dytën. Të them të drejtën nuk jam intereuar pasi jemi marrë me organizimin e Sanatoriumit.

Po punohet fort për vaksinën, janë thyer dhe rregullat për prodhimin e kësaj vaksine që ka gjunjëzuar gjysmën e botës. Ne jemi mësuar, Sanatoriumi pret rastet më të rënda me pneumoni.

Mua më është krijuar ideja se e kam kaluar dy tre javë më parë për shkak të kontakteve.”- tha mjeku pneumolog Arjan Mezini.

SHKARKO APP