”Padia do shqyrtohet në Paris”, Berisha: Miqtë më thanë se në dosjen e Blinken ka zero fakte, zero prova
Në takimin me demokratët e Lezhës, ish-kryeministri foli për shpalljen e tij ”Non-Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku tha se miqtë i kanë thënë se në dosjen e Blinken s’ka prova apo fakt që e implikon. Pasi përsëriti lajmin se padia e tij ndaj sekretarit amerikan Blinken në Paris është pranuar, shtoi se ”Foltorja” nuk lidhet me vendimin e DASH.
”Duan ta paraqesin ”Foltoren” si një interes personal të Sali Berishës, të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time ”non-grata”. Kjo është e pavërtetë. Atë vendim, duke e pasur të qartë se është i bazuar në shpifje, Sali Berisha e mbajti personal. Padita për shpifje zotërinë që nënshkroi vendimin.
Dua t’ju them se jo vetëm gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë time, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente dhe zero prova. Ftoj sekretarin e shtetit dhe këdo shtetar, institucion të mbarë botës që çdo fakt ta çojë në sallën e gjyqit”.