Padia e Tahirit për Palokën, dorëzohen provat. Avokati i Ministrit: Të shpallet fajtor

 

Në Gjykatën e Lartë u çel procesi i padisë së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kundër Kryetarit të Grupit Kuvendor demokrat Edi Paloka, për shpifje.

Në seacën e tretë për nga rradha, trupa gjyqësore me relatore Adriana Fullani (bashkëshortja e ish-Guvernatorit), nisi shqyrtimin e padisë, pas dështimit të seancës së pajtimit mes palëve.

Avokati i Ministrit, Dhimitër Prifti paraqiti para trupit gjykues parashtrimet hyrëse të padisë.

Ai citoi deklaratat e Palokës në 3 dalje publike, ku akuzonte Ministrin e Brendshëm si të lidhur me krimin, duke theksuar se ajo janë shpifje dhe të pavërteta. Avokati kërkoi deklarimin e fajshëm të Palokës.

“Ministri i Brendshëm e di që miku i tij vë gjoba, dhe ai nuk bën asgjë për të mbrojtur viktimat, por u sulet viktimave, për interesat e bandës“, ishte një nga deklaratat e Palokës mbajtur në 7 janar 2015 në selinë e PD-së, e dorëzuar në Gjykatë si provë nga pala paditëse, në video dhe media të shkruar.

Ndërkohë seancën e ndoqi edhe një Prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, i cili do të vendosë pasi të dëgjojë palët dhe shqyrtojë provat, nëse ka vepër penale.

As Ministri Tahiri dhe as deputeti Paloka nuk ishin të pranishëm në seancë, por avokati i këtij të fundit kërkoi kohë të njihej me provat.

Seanca e rradhës u shty në 29 qershor.

SHKARKO APP