Padia për Lefter Kokën hakmarrje e LSI? Xhixho: Jam fare e ftohtë kush është personi, mban përgjegjësi penale
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kallëzuar në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) tre zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë për atë që ajo e quan aferën korruptive me inceneratorin e Fierit. Nënkryertarja e LSI-së, Erisa Xhixho thotë se në kallëzim janë renditur në mënyrë të qartë të gjitha mënyrat sipas të cilave zyrtarë të lartë të shtetit kanë kryer shkelje në tenderimin e koncesionit.
“LSI e ka ndjekur me shumë sensibilitet këtë çështje. Një aferë e pastër korruptive e zyrtarëve të lartë që kanë shpërdoruar detyrën…Inceneratori është i financuar 100 për qind nga taksapaguesit, 28 milionë euro. Duhej të ishte tender ndërkombëtar, por kjo nuk ka ndodhur”.
E pyetur nëse LSI po merr në një farë forme hak ndaj Lefter Kokës, Xhixho tha se nuk bëhet fjalë për çështje emrash konkretë.
“Nuk duhet të merret më shoqëria me emra por me çështje. Jam fare e ftohtë kush është personi, mban përgjegjësi penale para opinionit publik. Politikanët në momentin që përfshihen në një aferë korruptive, pavarësisht se në çfarë kahu ndodhen duhet të mbajnë përgjegjësi për veprime apo mos veprime”,-tha në ”Abcnews Albania”.