Paga minimale në 45 mijë lekë, eksperti Shano: Është më e ulëta në rajon
Paga minimale në vend do të jetë 45 mijë lekë. Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, thotë se për të rritur pagat duhet të rritet ekonomia dhe jo e anasjellta, ndërkohë që indekset ekonomike për Shqipërinë e rendisin atë në vendin e fundit në rajon. Ai e sheh rritjen e pagës minimale një taksë që shërben për të rritur të ardhurat për sigurimet në buxhetin e shtetit.
“Tregu i punës më shumë sesa me shpërblimin lidhet me zhvillimin e ekonomisë. Rritja e pagës duhet të vijë se është zhvilluar ekonomia. Nuk mund të jetë rritja e pagës ajo që sjell zhvillim ekonomik. Ne jemi në fund të renditjes në të gjitha indekset.
Ne jemi të fundit në rajon për produktivitetin e ekonomisë, duhet të kemi pagën më të ulët në rajon. Është logjikë. Nëse ne e rrisim pagën minimale pa reflektuar produktivitetin e ekonomisë, atëherë kjo pagë nuk është një rritje, por një taksë, për të rritur të ardhurat për sigurimet në buxhet. Është një gur që i vihet ekonomisë, rritje e kostove për të bërë biznes”, tha Shano.