“Pagat e luftës”/60 mijë e marrin në fund të javës, kurse pas 15 prillit…

Ekonomia në Shqipëri është drejt kolapsit dhe qeveria ka caktuar një “pagë lufte”. Mbi 60 mijë biznese të vogla që janë të mbyllura, në fund të javës do të marrin pagën e luftës të premtuar nga qeveria. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mësohet se mbi 36 mijë biznese dhe 61 mijë punonjës kanë aplikuar deri më tani për pagën e luftës.

Kurse kryeministri Edi Rama, thotë se bizneset të cilat lejohen të qëndrojnë hapur por nuk kanë aktivitet nga mungesa e punës, do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës ekonomike pas datës 15 prill. “Rrobaqepësi të vogla në lagje, agjenci turistike, servise makinash, apo llamarinistë, fizioterapistë, riparime elektroshtëpiake; të gjitha këto kategori do t’i fusim në kategoritë që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës që do të bëhet pas datës 15 prill”.

Nga ana tjetër kryeministri lajmëroi masa të reja ndëshkuese. Rama tha se për të gjithë bizneset që do të qëndrojnë hapur duhet të pajisen me maska, doreza, dhe dezinfektantë dhe nëse masat parandaluese nuk respektohen, aktiviteti do të mbyllet, do të ketë sekuestrim të mallit, si dhe do të dënohen me gjobë.

SHKARKO APP