Paketa Anti-Shpifje, Gjosha: Qeveria duhet të tërhiqet menjëherë nga ky vendim i shëmtuar
Ish-ministrja Klajda Gjosha me anë të një statusi ka reaguar në lidhje me papajtueshmërinë e Këshillit të Europës me miratimin e paketës Anti-Shpifje.
Gjosha e ka përshëndetur këtë reagim të KE-së, teksa i ka bërë thirrje qeverisë të tërhiqet menjëherë.
POSTIMI:
Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit Europës dërgon në Komisionin e Venecias ‘Paketën Anti-Shpifje’.
Një akt që tregon qartë jo vetëm mos dakordësinë e tyre me heqjen e fjalës së lirë por edhe mos pranimin e një lideri me tipare diktatoriale!
Kjo është e rëndë për Shqipërinë, imazhin e saj, cënimin e themelit të demokracisë dhe rëndon pozitën e Shqipërisë si kryesuese të OSBE.
Papajtueshmëria e Këshillit të Europës me shkeljen të drejtës themelore të njeriut, lirinë e shprehjes, është një akt që duhet vlerësuar dhe përshëndetur. Qeveria duhet të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga ky vendim i shëmtuar për të miratuar një paketë presioni dhe ushtrimi frike, që e diskretiton Shqipërinë dhe rrëzon sakrificën e brezave për të fituar demokracinë!