Paketa ”Antishpifje”, Çipa: Vijojmë betejën, do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese

Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa u shpreh se beteja kundër paketës anti-shpifje do të vazhdojë. “Në emër të organizatës që unë përfaqësoj, dua të them se do ta vazhdojmë betejën. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për ta shqyrtuar këtë pretendim. Në periudhën e debatit për këtë draft ne kemi arsyetuar se në cilat pika shtohen rreziqet, krijohen premisa për një lloj censure dhe autocensure”, tha Çipa në ”A2Cnn”. Ai përsëriti edhe njëherë pjesët shqetësuese në këtë paketë. “Presidenti thotë se në faqen zyrtare të Parlamentit, e ka pasur të pamundur të shqyrtojë draftin përfundimtar të përmirësimeve të pretenduara nga shumica në qeverisje. Këtu kam parasysh momentin e votimit final. Ne kemi ngritur shqetësimin për penalitetet që parashikon drafti të jepen në rastin e cenimit apo realizimit të veprës penale të shpifjes. Masat financiare për një redaksi të “online”-it janë shumë të mëdha. Ne kemi refuzuar mënyrën se si do të kryhet veprimi i gjykimit të diçkaje që do të quhet fyerje nga këshilli i ankesave. Ne refuzojmë edhe me formën dhe procedurën e ekzekutimit të penaliteteve financiare. Nuk mund të ekzekutohet me akt përmbarimor një masë e tillë financiare pa kaluar nga gjykata. Këto prezumime janë edhe të natyrës profesionale. Në kushtet e sotme, Shqipëria më së pari ka një krizë për transparencë”.

SHKARKO APP