Paketa fiskale e pa konsultuar – Jaka: Të adresohen shqetësimet reale të biznesit

Ndryshimi i paketës fiskale 2020 nuk është konsultuar me biznesin. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka thotë se nuk prisnin ndryshime taksash, për sa kohë Ministria e Financave synon aplikimin e paketave fiskale 3-vjeçare. Megjithatë, ai kritikon ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, që parashikojnë rritje gjobash për blerësit që nuk tërheqin kupon tatimor apo gjobat e tjera në kuadër të projektit të fiskalizimit.

Sipas Jakës, nëse qeveria do të bëjë ndryshime fiskale atëherë ajo duhet të adresojë çështjet që shqetësojnë biznesin e që lidhen me pasojat që ka krijuar heqja e TVSH-së për fermerët, sigurimin e detyrueshëm 10-vjeçar për ndërtuesit apo sipërfaqen prej 3% që ndërtuesit duhet të vënë në dispozicion të strehimit social.

Ndërkaq, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mbështet organizimin e Panairit të Shëndetit, që hap dyert të enjten në Pallatin e Kongreseve. Në panair do të marrin pjesë 60 kompani të ndryshme, kryesisht nga sektori privat, ndërkohë që Jaka ka ftuar të gjithë qytetarët ta vizitojnë, pasi gjatë tij do të ofrohen analiza dhe konsulta falas. Panairi do të qëndrojë i hapur deri ditën e shtunë.

SCAN

SHKARKO APP