Paketat ndihmëse, eksperti tregon si duhet të veprojë qeveria për zbutjen e krizës

Kryeministri Edi Rama, dje prezantoi në vija të përgjithshme paketën e dytë mbështetëse për bizneset dhe qytetarët, të cilët kanë tkurrur veprimtarinë e tyre për shkak të masave të aplikuara nga qeveria, me synim frenimin e përhapjes së mëtejshme të pandemisë globale të Covid-19. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, e konsideroi si një hap pozitiv hartimin e paketës së dytë financiare, në të cilën do të përfitojnë 100 mijë punonjës të biznesit të vogël që nuk përfituan nga paketa e parë, 10 mijë punonjës të sektorit të turizmit si dhe 66 mijë punonjës të hequr nga puna nga biznesi i madh.

”Pavarësisht që detajet nuk janë bërë të njohura por unë e konsideroj si një zhvillim pozitiv, e konsideroj si një përpjekje të dytë shumë të rëndësishme për të lehtësuar së pari barrën e krizës mbi grupet të caktuara të popullsisë që janë prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke pasur parasysh bizneset e vogla, por edhe papunësinë që është shkaktuar nga mungesa e veprimtarive të mëdha. Në veçanti sektori i turizmit që po e përjeton këtë krizë për një periudhë të gjatë që nga viti i kaluar për shkak të tërmetit, kostot e të cilëve që ishin ndërmarrë mund të ketë ndikuar në likuiditetin e tyre. Personalisht do të kisha gjykuar, që masat duhet të ishin ndoshta edhe më të forta, më agresive, në kuptimin që nevoja për të përballur një goditje kaq të forta, siç ishte tërmeti dhe pandemia, të cilën po kalojmë, ndoshta do ta justifikonte një vendim edhe me agresiv nga ana e qeverisë.Mendoj se është një hap i rëndësishëm i ndërmarrë. Me sa kuptova kryeministri tha se do të ketë edhe një paketë të tretë në varësi të zhvillimeve, gjë që do të thotë se zhvillimet janë duke u monitoruar”,-tha për ”EuroNews”.

Ai kritikoi gjithashtu edhe fondin e garancisë sovrane prej 100 milionë dollarësh, paketën kjo e cila u vu në dispozicion të bizneseve për të paguar punonjësit e tyre. ”Edhe në paketën e parë pati një fond garancie prej gati 100 milionë dollarë, por unë mendoj që mënyra se si ishte konceptuar lë për të dëshiruar. Marrja e një kredie me një normë interesi pothuajse gati 3 për qind është absolutisht një normë shumë e lartë interesi, bëhet fjalë për masa emergjente për të lehtësuar nevojën për likuiditet”.

SHKARKO APP