Paketat ndihmëse të qeverisë, ish-ministri Malaj: Nuk duhet të jenë përjashtuese

Paketat ndihmëse të qeverisë për bizneset e goditura nga pandemia e koronavirusit ishin pjesë e çështjeve të debatuara gjatë emisionit Business Week në A2.

Ish ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi se këto paketa duhet të kenë një kohezion social dhe nuk duhet të jenë përjashtuese. Ai shton se në paketën e dytë mungojnë elementët progresivë dhe për këtë arsye është mirë që të eliminohet çdo tendencë e qeverisë për të fshehur thelbin.

“Shumë biznese u mbyllën përpara vendimit të qeverisë dhe për këtë arsye u përjashtuan nga paketat ndihmëse apo paga e luftës. Paketa ndihmuese kur ndërtohen, nuk duhet të ndërtohen me kujdesin e qindarkave. Ato nuk duhet të jenë përjashtuese. Realisht ata e mbyllen biznesin e tyre nga fakti që janë biznese individuale dhe rrisku për transmetimin e mundshëm të sëmundjes te të afërmit apo klientët e tyre. Për mua paketat duhet të krijojnë kohezion social, duhet të kenë sa më pak përjashtime, por duhet të ketë dhe rregulla që ai që abuzon të përgjigjet. Lidhur me paketën e dytë që është ndihma 40 mijë lekë, e cila dhe ajo nuk ka elementë progresivë, nuk kuptohet është 40 mijë lekë për një njeri që është pjestar me një familje me 2 veta dhe një me më shumë veta. Duhet eliminuar çdo tendencë e qeverisë për të fshehur thelbin në detaje”, u shpreh Arben Malaj.

SHKARKO APP