Pakti për Universitetin/Boçi: Asnjë student i shkëlqyer i ciklit bachelor nuk mbështetet
Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se sot asnjë student i shkëlqyer shqiptar nuk do të mbështetet më nga shteti i tij, në ciklin e parë të studimeve, bachelor. Boçi shprehet se nuk kanë fund vendimet arbitrare e mashtrimet e Ramës dhe të Shahinit ndaj studentëve, ndërsa propaganda fryhet çdo ditë. “Sipas VKM 160, 19. 02. 2020 për fondin e ekselencës, asnjë student i shkëlqyer shqiptar nuk do të mbështetet më nga shteti i tij, në ciklin e parë të studimeve, bachelor, edhe nëse fiton të drejtën e studimit në një nga 15 universitetet më të mira të botës. VKM 483, 16. 07. 2014 që i jepte këtë drejtë studentëve rrëzohet. Kjo do të thotë që maturantët që aplikojnë sivjet në këto universitetet, duhet të heqin dorë nga ëndrra dhe merita e tyre për mbështetje financiare nga qeveria. Asnjë prej tyre nuk mund të shkojë më në Oksford, Harvard apo diku ku spikatja e shqiptarëve ka qenë shembullore. Fondit qesharak për ekselentët i shtohet dhe ky përjashtim”.