Pallati 5-katësh në Kavajë rrezikon të shembet, apeli i banorëve: Do bëhemi si Thumana…

Tërmeti i datës 26 nëntor që tronditi vendin ka shkaktuar shumë dëme edhe në qytetin e Kavajës. Banorët shprehen se janë duke fjetur jashtë, nëpër shtëpi të miqve dhe shokëve, ndërsa një qytetare shprehet se nëse shteti nuk merr masa, edhe ata mund të kthehen si Thumana.

“Siç e shikoni, ky pallati ka mbaruar. Këtu nuk jetohet. Duhet të ishte rregulluar që kur ka rënë tërmet në shtator. Nuk jetohet aty, shyqyr që nuk kishte viktima. Jashtë kam qëndruar, nëpër shokë e nëpër miq”, tha një banor i pallatit.

Ndërsa një banore deklaroi se shteti duhet të marrë masa urgjente për situatën, pasi rrezikojnë të kthehen si Thumana.

“Të merren masa. Qeveria të na ndihmojë. Do bëhemi si Thumana. Të kthehemi te zemrat e bardha dhe bujare, siç e kemi traditë”, deklaroi ajo.

Ndërsa në një tjetër banesë në lagjen numër 1 të qytetit të Kavajës, e shpallur e pabanueshme nga shteti, jetojnë dy të moshuar, të cilët thonë se nuk kanë se ku të shkojnë.

“Jetojmë në këtë shtëpi vetëm ne të dy. Nuk kemi ku të shkojmë tjetër, vetëm të dalim përjashta. Edhe mbrëmë, edhe parmbrëmë kemi fjetur jashtë. Shtëpia jonë është e pabanueshme që prej tërmetit që ra në shtator. Nuk kemi aq të ardhura. Banesa është e pabanueshme, na kanë thënë të ikim, por nuk kemi ku të shkojmë. Jemi edhe të sëmurë. Muret bien copa-copa, kemi frikë”, deklaroi i moshuari./BW

SHKARKO APP