Paloka: Nuk i kemi ndërkombëtarët kundër
Java po mbyllet me 3 ngjarje politike. Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE; PS do të çelë zyrtarisht fushatën elektorale, ndërsa opozita zhvillon një ditë më pas, pra të dielën protestën e 7 kombëtare. Edi Paloka, nënkryetar i PD-së ishte sot në Top Talk për të folur për këto ngjarje. Gjatë intervistës së dhënë për Top Talk, zoti Paloka tha se është fatkeqësi që Edi Rama nuk tërhiqet, duke e ironizuar me anë të një paralelizmi me Gatusson, ish-trajnerin e Milanit, që dështoi në misionin e tij dhe dha dorëheqjen.
“Është fatkeqësi që Edi Rama nuk tërhiqet sepse nuk është presioni i opozitës që duhet ta detyronte këtë Kryeministër që të reagonte. Janë një sërë faktorësh që një njeri normal, një Kryeministër normal do e kishte bërë me kohë që të reflektonte. Nuk e kam fjalën për të gjithë ato skandale që ai ka rreshtuar në këto vite, por për ngjarjet e fundit dhe për ato fakte që kanë dalë në lidhje me dy dosjet e përgjimeve ku rezulton se funksionarë të Partisë Socialiste që në bashkëpunim me kriminelë blejnë votat. Janë këto fakte që janë edhe shtysa e fundit që neve na kanë nxjerrë në rrugë. Sot jemi aty për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kryeministri vazhdon me këmbënguljen e tij për të mos u tërhequr. Për sa i përket shkeljes së Kushtetutës e ka kërkuar ky zotëria vetë dhe është shtyrë data e zgjedhjeve. Rasti i fundit ka qenë rasti i fundit i Kavajës, dy ditë përpara zgjedhjeve dhe janë shtyrë me disa muaj.
Ne nuk kemi më asgjë për të humbur. Ky zotëria është kapur duke blerë zgjedhje që në zgjedhjet e para, të zhvilluara në 2013 në Korçë. Zgjedhje krejtësisht të mbyllura dhe pa asnjë nevojë që ky t’i manipulonte. Në Dibër, sikur fare të mos kishte prova, të mos ishte ajo dosja “Nr 184” fare, vetëm me logjikën e një njeriu normal, që thotë Dibra historikisht e djathtë herën e fundit që fitoi PS, fitoi si fitoi ndodhi një skandal. Largohet Kryetari i Bashkisë me një skandal dhe në vend që skandali t’i kthehet kundër një zone të djathtë, fiton Partia Socialiste me 4 mijë vota para. Që këtu njeriu normal thotë se ka diçka që nuk shkon. Por sot nuk jemi përpara kësaj, por kemi një dosje. Ky as Gattuso nuk është, as sa Gattuso, ish-trajneri i Milanit që dështoi në kampionat dhe tha ‘unë po iki, do ta mbyll mandatin’. Ndërsa ky nuk ikën se thotë se kontratë me qytetarët”, tha Paloka.
Gazetari Denis Dyrnjaja e pyeti nënkryetarin e PD-së në studion e Top Talk, se përse ndërkombëtarët nuk po e mbështesin opozitën. Zoti Paloka tha se kjo nuk është e vërtetë dhe qëndrimi i CDU/CSU thotë të kundërtën, duke u shprehur se dorëheqja e Ramës nuk është tabu. “Nuk është e vërtetë që nuk kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve. E patë raportin e djeshme të CDU-/CSU, që thotë se asnjë gjë nuk është tabu dhe e ka për dorëheqjen e Kryeministrit. Ata e kanë thënë në mënyrë eksplicite ‘edhe dorëheqja e Kryeministrit nuk është tabu’, e kanë thënë. Këtij ka 3 vjet që nuk i hapen negociatat dhe dihet se përse se nuk e jep dorëheqjen”, argumentoi Paloka.
Më pas nënkryetari i PD-së, u shpreh se Bindja Demokratike u regjistrua në Gjykatë kundër ligjit dhe se kryetari i KQZ-së nuk është pyetur për asgjë. “Kryetarin e KQZ nuk e pyet kush. Ai foli edhe për atë partinë që këta duan ta paraqesin si opozitë sot në mënyrën më qesharake, foli Kryetari i KQZ-së, por nuk e pyeti kush. Pse u regjistrua në Gjykatë kundër ligjit?”, aludoi Paloka.
KOHA JONË SONDAZH

