Panariti dhe Sallaku në Bërxullë, u premtojnë fermerëve dhënien e çertifikatave të pronësisë

 

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane, ‎Luan Sallaku i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, ‎Edmond Panariti, vizituan disa biznese serash në zonën e Bërxullit, ku diskutuan nga afër problemet me të zakonshme të këtyre bizneseve dhe mundësitë që do të ofronte një bashkëpunim i ngushtë midis tyre dhe Bashkisë së re të Vorës.

Në këto sera janë të punësuar rreth 15-30 punëtorë, por potenciali i tyre është edhe më i madh. Për këtë, Ministri Panariti dhe kandidati Luan Sallaku u angazhuan për të mbështetur fermerët në këtë drejtim.

“Mbështetja e Bashkisë së Vorës dhe Ministrisë së Bujqësisë do të jetë e vazhdueshme dhe e plotë në drejtim të subvencionimit me grante dhe fonde”, u shpreh Sallaku.

Një tjetër pikë e rëndësishme, sipas tij, do të jetë dhënia e çertifikatave të pronësisë për fermerët, duke mundësuar zgjerimin e kësaj sipërmarrje nëpërmjet lidhjes së kontratave të qirasë për tokat e mbjella.

Ai shtoi se “në programin tonë për Vorën pikë e fortë do të jetë ngritja e zyrës së fermerit, një qendër mundësish të reja për çdo biznes që ka dëshirë të investojë në fushën e bujqësisë”.

Gjithashtu, shumë e rëndësishme do të jetë pajisja e çdo banori me çertifikatat e pronësisë, proçes i cili ka nisur tashmë prej kohësh dhe i jep mundësinë bizneseve si këto për tu zhvilluar në bazë të kërkesave të tyre”, tha kandidati për Bashkinë e Vorës, Luan Sallaku.

SHKARKO APP