Panariti jep alarmin: Ngjarjet po mbyllen pa u bërë analizat

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Panariti analizon rastet të cilat siç thotë ai, mbyllen nëntokë dhe që mbartin potencialisht rreziqe të mëdha për të gjithë ne.

Përmes rrjeteve sociale, Panariti referon ngjarjen tragjike të Bulqizës, ku thekson se çështja po mbyllet pa u bërë asnjë analizë për ngjarjen.

“Farsa  analitike e vdekjeve të papritura! Ose si mbyllen nëntokë, raste të cilat mbartin potencialisht rreziqe të mëdha për të gjithë ne?

 Këto rastet e vdekjeve të papritura të dyshuara nga helmimi janë kthyer në kronika arkivash të denja për serialin e njohur si “dosjet misterioze”!

Zakonisht zgjatin tre ditë dhe më pas varrosen përfundimisht së bashku me ngjarjen dhe viktimat.

Kështu ndodhi me dy foshnjet që vdiqën papritmuas në Berat, të dyshuar të helmuar nga qumështi pluhur. Asgjë nuk u mor vesh! Kështu ndodhi edhe me helmimet akute të fëmijëve të një shkolle në Koplik, asgjë nuk doli në dritë! Përveç një raport “njoftimi” të cilësuar si Salmonelë, por një rast që vetem i tillë nuk mund të ishte, për të gjithë ata që kuptojnë sadopak nga enterotoksinat bakteriale dhe helmimet nga to.

Kështu duket se do të mbyllet edhe rasti tragjik i nënës dhe i fëmijëve të saj që humbën jetën në Bulqizë. Kështu ka ndodhur me dhjetëra raste helmimesh “vetëvrasëse” të cilësuara si akte tragjike të kryera në kushte depresioni, por pa analiza, pa raporte anatomo dhe histopatologjike dhe ekspertizë.

 Zbulimi i shkakut dhe shkaktarëve të vdekjeve dhe helmimeve “mister” të popullatës është një gjë shumë serioze dhe ka të bëjë me sigurinë e jetës, por edhe atë kombëtare…

Ato nuk mund të lihen pa emër dhe pa shkak, sepse mund të inkurajojnë veprime kriminale të kamufluara”, shprehet ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti.

SHKARKO APP