Panariti: Mbërritën 50 mijë copë vaksina për “Dermatozen Nodulare”
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, njoftoi sot, gjatë një komunikimi me mediat, mbërritjen e 50 mijë copë vaksinave ndaj sëmundjes së gjedhit (Dermatoza Nodulare), duke garantuar se është siguruar e gjithë sasia e nevojshme.
“E gjithë sasia e vaksinës ndaj Dermatozës Nodulare, tashmë është siguruar. Duke filluar nga nesër, nis vaksinimi në të gjithë vendin”, deklaroi Panariti, duke theksuar se, “i gjithë procesi do të mbikqyret nga Drejtoritë e Bujqësisë dhe Shërbimi veterinar”.
Më tej, Ministri Panariti deklaroi: “Vaksinat do të jenë falas për të gjithë fermerët, por së pari do të nisë edhe regjistrimi, identifikimi i kafshëve që nuk janë të matrikulluara. Kafshët do të vaksinohen sipas kritereve shumë rigoroze. Do të mbahet dokumentacion i rregullt, rigoroz, për garantimin e gjithë gjurmueshmërisë së procesit, ku do të firmosin dhe fermerët”.
Në deklaratën për mediat, Panariti shpjegoi se vaksina është për parandalimin e sëmundjes së gjedhit dhe nuk është profilaksi, që shëron kafshët e prekura.
“Fermerët duhet të jenë edhe vetë të kujdesshëm, duke filluar që na higjiena e kafshëve të tyre, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Vaksinat shërbejnë për kafshët e paprekura, ndërsa ato që tashmë janë prekur, vetëm mjekohen dhe pavarësisht punës tonë, të shërbimeve veterinare, fermerët duhet të kujdesen edhe vetë për kafshët e tyre të sëmura”, deklaroi ministri.
Ministri Panariti sqaroi për mediat dhe opinionin publik edhe rastin e përhapur në media një ditë më parë, se kafshë të ngordhura apo të prekura nga Dermatoza Nodulare, po shiten për fabrikat e përpunimit të mishit, për t’u bërë sallam. “Lajmi është i pavërtetë. Ne e morëm shumë seriozisht këtë njoftim, megjithëse ne, në mënyrë sistematike, shumë rigoroze, monitorojmë çdo ngordhje dhe jemi aty me trupat veterinare, për të kontrolluar e verifikuar procesin e asgjësimit, groposjes së saj. Përfaqësues të Shërbimit Veterinar edhe të strukturave të drejtësisë, shkuan për të verifikuar rastin në fjalë dhe rezultoi se, nuk kishte asgjë të vërtetë në këtë mes. Për hir të së vërtetës, me të drejtë, kjo shkaktoi tronditje në opinionin publik. Ndaj kërkoj që, para se të publikojnë lajme të tilla, të verifikojnë saktësinë e lajmit, pasi përhapin panik të paqenë te konsumatori”, theksoi Panariti.
Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë që morën kontakt me fermeren në Rrapëz të Lushnjës, verifikuan se kafsha ka qenë e sëmurë nga hemoragjia, jo nga Dermatoza Nodulare.
I pyetur në lidhje me numrin e kafshëve të ngordhura dhe kompensimin e tyre, Ministri deklaroi se, qëkur u shfaq kjo sëmundje e deri tani, janë rreth 900 kafshë të ngordhura, për të cilat Ministria e Bujqësisë ka kërkuar një fond shtesë nga qeveria në buxhetin e 2017, ose nga Fondi i Emergjencave, për kompensimin e tyre, po me kafshë të gjalla, raca të përzgjedhura.
KOHA JONË SONDAZH

