Panariti: Qindra biznese të vogla ushqimore falimentuan nga AKU me gjoba antiligjore
Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon skandalin se si u zhvatën dhe falimentuan me qindra biznese të vogla ushqimore nga AKU me gjoba antiligjore.
Denoncimi vjen nga ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, i cili përmes rrjeteve sociale thekson se me qindra biznese të vegjël ushqimore u detyruan të paguajnë për licensim në QKL në keqinterpretim të një VKM-je të vitit 2009. Përpos kësaj, në kapërcim afatesh ata u gjobitën rëndë.
“Me qindra biznese të vegjël ushqimore u detyruan të paguajnë për licensim në QKL në keqinterpretim të një VKM-je të vitit 2009. Përpos kësaj, në kapërcim afatesh ata u gjobitën rëndë… Ekzekutori i kësaj fushate ishte AKU, e cila veproi jashtë kompetencave.
Një pjesë e madhe e “të vegjëlve” pa mbrojtje, nuk e përballuan, u rrëzuan dhe i ulën qepenat. Detyrimi për regjistrim në QKL, i qindra bizneseve të vogla ushqimore, i shoqëruar me miliona lekë gjoba si sanksione për vonesë është i kundërligjshëm… Ai nuk është keqinformim. Ai është një abuzim, i cili nuk mund të korrigjohet me “amnisti”, por me përgjegjësi ligjore për ata që e kanë ushtruar”, deklaron ish-ministri Edmond Panariti.