Panariti: S’e dija që fituesi i tenderit të Patokut qe vëllai i Prengës

Tenderi për Lagunën e Patokut është shkaku i përplasjes së armatosur mes familjes Cali dhe deputetit Armando Prenga, e cila la 7 të plagosur.

Tenderi i zhvilluar në muajin prill iu dha kompanisë “Tenki 01” të Eduard Prengës, vëllait të deputetit Armando Prenga.

Familja Cali akuzoi menjëherë Ministrinë e Bujqësisë për favorizim të kompanisë “Tekni 01” për shkak se pas saj qëndronte deputeti i mazhorancës.

Por ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti thotë se nuk e ka ditur që firma fituese është e vëllait të deputetit Prenga.

Familja Cali e ka çuar tenderin në Gjykatë dhe seanca e parë u zhvillua dy ditë para konfliktit të armatosur, ku deputeti Prenga plagosi një anëtar të familjes Cali, siç thotë Prokuroria.

Ministri i Bujqësisë thotë se kompania e vëllait të deputetit Prenga nuk është favorizuar, por e ka fituar garën pasi ka patur ofertën më të madhe.

Kompania “Tenki 01” ishte krijuar vetëm pak muaj para garës, por ministri thotë se eksperienca nuk ka qenë kriter.

Familja Cali që përfaqëson peshkatarët e zonës, e shfrytëzonte lagunën prej dy dekadash. Ajo tashmë po përballet me një proces gjyqësor.

 

SHKARKO APP