Panariti tregon se ku duhet përqendruar beteja kundër Covid-19

Ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, thotë se situata mbetet e vështirë pasi çdo ditë ka një rritje eksponenciale e të infektuarve. Duke iu referuar studimeve, Panariti nënvizon se vaksinimi për gripin stinor ul të paktën me 39 për qind mundësinë e infektimit me Covid-19.

“Kambanat kanë kohë që kanë rënë dhe bien për ata që kanë veshë. Duhet të rriteshin kapacitetet trajtuese spitalore. Duhet të kemi minimumi 2000 shtretër. Situata është shumë e rëndë, sepse rritja e rasteve po rritet eksponencialisht nga dita në ditë. Ajo që mua më shqetëson është se patëm në dorë disa masa, të cilat për fat të keq nuk i respektuam. Vaksinimi nga gripin stinor për popullatën është më i rëndësishëm së kurrë. Ata që vaksinohen për gripin, studimet thonë se 39 % janë më pak të rrezikuar”, tha ai në ”Euronews Albania”.

Për më tepër, Panariti nënvizon se Shqipëria duhet të ndryshojë strategjinë si dhe metodologjinë e trajtimit të pacientëve. Ai u shpreh se metodologjia duhet të orientohet tek protokolli i trajtimit në shtëpi.

”Duhet të ndryshojmë metodologjinë e trajtimit të pacientëve. Ne duhet të përqendrohemi tek protokolli i trajtimit në shtëpi. Në mënyrë që të mos përmbyten spitalet. Në Komitetin që ne kemi ngritur, ne nuk kemi një protokoll se çfarë duhet të bëjmë në kushte shtëpie. Intubimi është situatë shumë e rëndë, me një probabilitet shumë të vogël për të shpëtuar. Që në fillimin e simptomave të lehta, të cilat mund të fillojnë që në shtëpi. Shërbimi parësor që vjen, të mos vijë vetëm për tamponin, por edhe elementët e oksigjenimit. Duhet ndryshuar strategjia e trajtimit të pacientëve”, shtoi ai.

SHKARKO APP