Pandeli Majko prezantohet si drejtues politik në Kukës, Gjiknuri: Tregojmë vëmendjen e shtuar të PS për këtë qark
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka prezantuar këtë të mërkurë në Kukës Pandeli Majkon si drejtuesin e ri politik në këtë qark. Gjiknuri thotë se angazhimi në këtë detyrë i një ish-kryeministri dhe një prej figurave kryesore të PS-së, tregon qartë për vëmendjen në rritje të kësaj force politike për qytetarët e Kukësit, Hasit e Tropojës.
“Në Kukës ku prezantova para strukturave të Partisë Socialiste Pandeli Majkon si drejtuesin e ri politik të këtij qarku.
Shpreha bindjen se z.Majko do të jetë në gjendje që falë eksperiencës së gjatë politike t’u gjendet sa më pranë qytetarëve të këtij Qarku, jo vetëm duke ndikuar në shtimin e projekteve të qeverisë dhe donatorëve, por edhe nxitjen e nismave të përbashkëta ekonomike/zhvilluese me komunat më të afërta kufitare në Kosovë.
Angazhimi në këtë detyrë i një ish-Kryeministri dhe një prej figurave kryesore të familjes sonë politike tregon qartë për vëmendjen në rritje të Partisë Socialiste për qytetarët e Kukësit, Hasit e Tropojës”, shkruan Gjiknuri.