Pandemia drejt fundit në Shqipëri? Veç 264 raste aktive

Për 7 ditë në vend nuk ka ndërruar jetë asnjë person i prekur nga Covid-19, ndërsa edhe shifrat e tjera janë tepër shpresëdhënëse për një verë mjaft të qetë. Në raportim e së dielës nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se aktualisht në Shqipëri janë vetëm 264 raste aktive me virus.

Në spital situata është e qëndrueshme ku janë të shtruar 28 persona, nga të cilët pesë janë në terapi intensive, ndërsa nuk ka asnjë të intubuar. Që prej fillimit të pandemisë, në Shqipëri janë infektuar 132379 persona, nga të cilët kanë ndërruar jetë 2451.

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u shpreh optimist për të ardhmen dhe se sipas tij, po shkojmë drejt fundit të pandemisë. Referuar numrit të lartë të personave që e kanë kaluar koronavirusin si dhe të të vaksinuarve, për infeksionistin Pipero stina e verës do të jetë e qetë në lidhje me pandeminë.

SHKARKO APP