Pandemia, LSI denoncon situatën në spitalin e Durrësit. Kuçi: Ndalni propagandën boshe. Shpëtoni jetë
Lëvizja Socialiste për Integrim denoncon situatën e rëndë në spitalin e Durrësit, pak ditë pas vendimit të qeverisë që dhe spitalet në rrethe të kthehen në spitale covid.
Kryetarja e LSI-së për Durrësin Kontjana Kuçi deklaron se pavioni Infektiv për COVID-19 në Spitalin Rajonal të Durrësit i mbushur me pacientë dhe shtretërit janë të gjithë të zënë duke mos përballuar fluksin e prurjeve të reja në rritje.
“Pavioni Infektiv për COVID-19 në Spitalin Rajonal të Durrësit i mbushur me pacientë dhe shtretërit janë të gjithë të zënë, duke mos përballuar fluksin e prurjeve të reja në rritje.
Shumë të infektuar duhet të presin në Urgjencë deri sa të hapen vende, ndaj ose kthehen në shtëpi ose shkojnë në Tiranë.
Aktualisht ka pacientë në gjendje të rëndë dhe nuk ka oksigjen mjaftueshëm për ta.
Numri i stafit mjekësor është i pamjaftueshëm duke mos e përballuar fluksin dhe menaxhuar situatën.
Urgjenca e Spitalit nuk po përballon dot situatën me pacientë me Covid dhe sëmundje të tjera.
Ka vetëm një skaner i cili nuk pastrohet për shkak të fluksit të madh ndaj operon si për pacientët me Covid ashtu edhe me sëmundje të tjera.
Situata është tragjike. Ky është keq-menaxhimi i pandemisë nga qeveria e fasadave e cila nuk ka strategji për pandeminë por vetëm strategji si të ushqejë me miliona euro oligarkët dhe jo tē investojë në sistemin shëndetësor dhe në luftën kundër pandemisë.
Qeveri e dështuar. Qeveri e papërgjegjshme që ka lënë shqiptarët e thjeshtë në mëshirë të fatit.
Ndalni propagandën boshe. Shpëtoni jetë”, deklaron Kryetarja e LSI Durrës, Kontjana Kuçi.