Pandemia, Meta: Çdo masë kufizuese dhe ligj i ri të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin kombëtar
Presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një deklarate për shtyp përshëndet qëndrimin e Këshillit të Europës mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë, pluralizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në kuadrin e krizës sanitare të COVID-19.
Teksa i referohet Këshillit të Europës, Meta shprehet se veprimet dhe masat e qeverive për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.
Ndaj, thotë kreu i Shtetit, është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik e kombëtar.
Deklarata e Presidentit të Republikës
Përshëndes qëndrimin e Këshillit të Europës, mbi domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë, pluralizmit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në kuadrin e krizës sanitare të COVID-19.
Siç me të drejtë thekson Këshilli i Europës: “ky virus po shkatërron shumë jetë dhe shumë gjera të tjera të shtrenjta për ne, por ne nuk duhet ta lejojmë të shkatërrojë vlerat tona themelore dhe shoqëritë tona të lira”.
Veprimet dhe masat e qeverive, për kufizimin e së drejtës së jetës private, lirisë së ndërgjegjes, lirisë së shprehjes dhe lirisë së organizimit, tërheq vëmendjen Këshilli i Europës, duhet të vendosen vetëm me ligj, në proporcion me rreziqet dhe për aq kohë sa është e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit.
Është me rëndësi që çdo masë kufizuese dhe ligj i ri, të jetë në përputhje vetëm me Kushtetutën dhe me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar.
Mbështes qëndrimin për shmangien sado që të jetë e mundur të vendosjes së dënimeve të ashpra penale për moszbatimin e masave kufizuese, pasi siç thekson Këshilli i Europës, ato krijojnë shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të njeriut.
Duke i ftuar të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale, theksoj domosdoshmërinë e respektimit të parimeve të demokracisë e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe hierarkisë të ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare.
Sepse siç nënvizon edhe Këshilli i Europës: “Sfida, me të cilën përballen sot shoqëritë tona, është një sfidë e paprecedentë. Edhe pas fazës urgjente të kësaj krize, shoqëritë tona do të duhet të gjejnë mënyrat për të vënë në vend dëmet sociale dhe ekonomike dhe për të rritur më tej besimin tek institucionet tona demokratike. Duhet të nisë një reflektim i gjerë për mbrojtjen e individëve dhe grupeve më të prekshme në shoqëritë tona dhe për mënyrat e ruajtjes së të drejtave të tyre në një model më të qëndrueshëm dhe solidar qeverisjeje”.