Pandemia “ngrin” bizneset, 3000 subjekte kanë kërkuar pezullim, 1000 të tjera mbyllje

Më shumë se 3000 biznese kanë kërkuar pezullim të aktivitetit gjatë periudhës së pandemisë. Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit thonë se 1000 biznese, kanë kërkuar mbylljen e përhershme.

Pezullimi i një sërë biznesesh gjatë periudhës së pandemisë, si masë e marrë për mospërhapjen e koronavirusit, ka sjellë dhe një boom aplikimesh për ngrirje të aktivitetit, për të shmangur detyrimet.

Kanë qenë më shumë se 3000 biznese që kanë aplikuar për pezullim aktiviteti gjatë këtij viti, kryesisht në periudhën e shpërthimit të pandemisë.

Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit thonë se deri më tani janë miratuar rreth 2000 kërkesa për pezullim, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në pritje.

Por të shumtë kanë qenë dhe ato biznese që kanë kërkuar mbyllje të aktivitetit, duke kapur shifrën e 1000 aplikimeve për çregjistrim.

Qendra Kombëtare e Biznesit thotë se kanë qenë personat fizik, ose të vetëpunësuarit që kryesojnë në listën e atyre që kanë kërkuar ndërprerje të përkohshme të biznesit.

Ndër të tjera, QKB sqaron se për të aplikuar për pezullim të aktivitetit, kushti i paravendosur është mospasja e detyrimeve të pashlyera, pasi në të kundërt aplikimi nuk do të ishte funksional.

SHKARKO APP