Pandemia ul konsumin, ankohen bizneset: Nuk po justifikojmë as kostot
Tezgat e fruta perimeve këtë të hënë ishin të mbushura por ata që mungojnë janë blerësit.
Vetë tregtarët shohin me shpresë këdo që ju afrohet, teksa shprehen se nuk po arrijnë të mbulojnë as shpenzimet.
“Jemi shumë, nuk kanë njerëzit. Nuk po arrijmë të përballojmë lekët e tezgave. Sidomos këto dy muaj jemi zero.”
Jo rrallë herë detyrohen të hedhin produktet.
“Malli na prishet, mbetet në tavolinë, jemi të detyruar ta hedhim.”
Edhe pse ishte thuajse mesditë, kjo zonjë nuk kishte arritur akoma të siguronte më shumë se 500 lekë xhiro.
“Shumë dobët, nuk kam bërë as 5 mijë lekë.”
Nga ana tjetër, situatën e vështirë e pranojnë dhe qytetarët, të cilët dikur mund të siguronin më shumë furnizime me të njëjtën vlerë që sot arrijnë të blejnë vetëm pak produkte.
“Vite më parë ishin më lirë, për ne pensionistët janë shtrenjtë.Nuk arrijmë dot ti marrim të gjitha me 150 mijë lekë që marrim ne.”
Ndërsa efektet e pandemisë vijojnë, kriza e konsumit në vend pritet të zgjasë edhe përtej këtij viti.