Panik në Fier, zjarri i madh shkrumbon pyllin, rrezikohen banesat
Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e sotme një pyll në fshatin Vreshtas të Fierit, duke u përhapur me shpejtësi në pjesën më të madhe të kodrës.
Prej disa orësh situata paraqitet tepër e vështire me flakët që përhapen me shpejtësi, duke djegur me dhjetëra rrënjë ullinj.
Por, flakëve nuk i kanë shpëtuar edhe dy banesa, të cilat fatmirësisht kanë qenë te pabanuara. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se në rrezik janë edhe disa banesa të tjera, të cilat ndodhen shumë pranë zonës së zjarrit.
Flakët janë favorizuar edhe nga era e fortë, e cila ka nisur rreth mesditës. Në vendngjarje kanë shkuar mjetet zjarrfikëse dhe efektivët e Fieri e Patosit, të cilat po punojnë për neutralizimin e flakëve.
Nuk dihet shkaku i zjarrit, por bëhet me dije se në të njëjtën zonë katër ditë më parë është regjistruar një tjetër vatër, por që është fikur në kohë nga zjarrfikësit.