Papa: Dashuria për Zotin dhe të tjerët është “zemra” e fesë, jo praktikat e jashtme!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot kremtuar si zakonisht nga Dritarja e Engjëllit mbi Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku ftoi për t’u rikthyer në rrënjët e jetës së krishterë: “nuk vlejnë praktikat e jashtme, sepse mund të bëjmë një mori sendesh, “vetëm për vetveten”, ndërsa Zoti do të na kërkojë si i deshëm të tjerët!
Papa Françesku kujtoi sot në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit,  se dashuria për Zotin e për të afërmin janë faqe të së njëjtës medalje. “Do ta duash Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me gjithë mendjen tënde”, i përgjigjet Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele, të 31-të gjatë vitit, nga shën Marku, një dijetari të Ligjit hebraik, i cili e pyet për urdhërimin më të madh të Zotit. E pastaj, shton menjëherë: “Duaje të afërmin porsi vetveten”.

“Ungjilli i liturgjisë së sotme (Mk 12,28-34) na tregon për një nga diskutimet e shumta që Jezusi pati në Tempullin e Jerusalemit. Një nga skribët i afrohet dhe e pyet: ‘Cili është i pari nga të gjitha urdhërimet?’ (v. 28). Jezusi përgjigjet duke bashkuar dy fjalë themelore të ligjit të Moisiut: ‘Duaje Zotin, Hyjin tënd” dhe “Duaje të afërmin tënd’” (v. 30-31)”.

Cili është Urdhërimi kryesor, më i madhi?

Me pyetjen e tij, skribi kërkon “të parin” e urdhërimeve, pra një parim që qëndron në themel të çdo gjëje. Siç e dimë, hebrenjtë kishin shumë porosi dhe shpesh diskutonin mbi urdhërimin më të madh, nga i cili varet gjithçka tjetër. Na e shpjegoi hollësisht Papa në lutjen e Engjëllit të Zotit:

“Kjo pyetje është themelore edhe për ne, për jetën tonë dhe për shtegtimin e besimit tonë. Sepse edhe ne ndonjëherë ndihemi të humbur në shumë gjëra dhe pyesim veten: po, në fund të fundit, cila është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha? Ku mund ta gjej qendrën nga e cila rrezaton gjithçka tjetër?”.

Zemra e jetës dhe e fesë së krishterë

Jezusi – shpjegoi në vijim Papa – na jep përgjigjen, duke bashkuar dy urdhërime që fillimisht ishin të ndara: dashurinë për Zotin dhe dashurinë për të afërmin. Kjo përmbledh të gjithë ligjin dhe profetët; madje mund të themi: kjo është zemra e jetës së krishterë:

“Vëllezër e motra – theksoi Ati i Shenjtë – të gjithë duhet të kthehemi në zemrën e jetës dhe të fesë, sepse zemra është ‘burimi dhe rrënja e të gjitha forcave, bindjeve, pasioneve, zgjedhjeve të tjera’ (Enc. Dilexit nos, 9).

Cila është gurra e gjithçkaje?

Kjo pyetje delikate dhe e shumëdëshiruar nga të gjithë, vijon të dëgjohet në shekuj. Duke marrë një mori përgjigjesh. Po cila është përgjigjja që na jep Krishti? Jezusi na thotë se burimi i gjithçkaje është dashuria, se ne nuk duhet ta ndajmë kurrë Zotin nga njeriu. Krishti i thotë dishepullit të të gjitha kohërave: në udhëtimin tënd ato që kanë rëndësi nuk janë praktikat e jashtme, si olokaustet dhe flijimet (v. 33), por disponimi i zemrës me të cilën i hapesh Zotit dhe vëllezërve të tu në dashuri.

“Ne mund të bëjmë shumë gjëra, por t’i bëjmë vetëm për veten tonë dhe pa dashuri, me zemër të shpërqendruar a të mbyllur”.

Kur të vijë Zoti, do t, na kërkojë llogari

Në vijim Papa preku një tast tejet delikat njerëzor, bëri një pyetje që përshkon shekujt e njerëzimit:

“Kur të vijë Zoti, para së gjithash do të na kërkojë llogari për dashurinë që kemi mundur të ofrojmë dhe për atë që nuk e kemi dhënë. Prandaj është e rëndësishme që ta ngulim urdhërimin më të rëndësishëm në zemrat tona – duaje Zotin, Hyjin tënd dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde!”.

Në shqyrtim të ndërgjegjes, çdo ditë!

Në përfundim Ati i Shenjtë Françesku na fton ta shqyrtojmë ndërgjegjen tonë çdo ditë dhe të pyesim veten: dashuria për Zotin dhe për të afërmin a është qendra e jetës sime? A më shtyn lutja ime drejtuar Zotit të shkoj drejt vëllezërve të mi dhe t’i dua lirisht? A e njoh praninë e Zotit në fytyrat e të tjerëve?

E, në përfundim të Engjëllit të së dielës, Papa i drejton, si zakonisht, lutjen Zojës së Bekuar:

Virgjëresha Mari, e cila mbarti ligjin e Zotit të ngulitur në zemrën e saj të papërlyer, na ndihmoftë ta duam Zotin dhe vëllezërit tanë.

R.SH. / Vatikan

SHKARKO APP