Papa Françesku: Jo “formulat” por takimi me Krishtin ndryshon jetën
Kush është Jezusi për mua? Çfarë vendi ka në jetën time? A e ndjek atë vetëm me fjalë apo e lë veten të transformohem nga takimi me Të? Pas një udhëtimi të gjatë 12-ditor në Azi dhe Oqeani, e takimit me mijëra njerëz, duke përshkuar 32 mijë km, 44 orë fluturim, Papa Françesku kthehet e duket përsëri nga dritarja e Engjëllit të Zotit dhe besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit e mirëpresin me duartrokitje dhe pankarta “mirëserdhe në shtëpi”. Dhe ndërsa komenton Ungjillin e kësaj së diele të 24 gjatë vitit kishtar nga Marku, duke u ndalur te qëndrimi i Pjetrit ndaj pyetjes së Mësuesit Jezus “Po ju, kush thoni se jam unë?” ai përgjigjet “Ti je Krishti”, por më pas kundërshton kur vetë Jezusi fillon të flasë për vuajtjet dhe vdekjen që e presin, aq sa e nxit qortimin e tij të ashpër, Papa pyet besimtarët se çfarë do të thotë në të vërtetë të njohësh Jezusin.
Hyrja në një marrëdhënie me Krishtin
Në fakt, Pjetri apostull përgjigjet në mënyrë të patëmetë, por “duhet të konvertohet ende” dhe pas këtyre fjalëve të përsosura qëndron mendësia e botës që e imagjinon Mesinë të jetë gjithmonë i fortë dhe fitimtar. Megjithatë, në faqet e Ungjillit jehon një mesazh për të gjithë, i cili, thotë Papa, shkon përtej njohjes së doktrinës, përtej recitimit të lutjeve dhe përgjigjes duke përdorur “formulat e mësuara në katekizëm”:
Në realitet, për të njohur Zotin nuk mjafton të dimë diçka për Të, por është e nevojshme ta ndjekim atë, të lejojmë të prekemi dhe ndryshojmë nga Ungjilli i tij. Kjo do të thotë të kemi me Të një marrëdhënie, një takim që të ndryshon jetën: të ndryshon mënyrën e të qenit, të ndryshon mënyrën e të menduarit, marrëdhëniet që ke me vëllezërit, gatishmërinë për të mirëpritur dhe falur, zgjedhjet që bënë në jetë. Gjithçka ndryshon nëse vërtet e ke njohur Jezusin!
Lëreni veten të shqetësoheni nga Ungjilli
Papa Françesku këmbëngul në nevojën e konvertimit dhe e bën këtë duke cituar teologun dhe pastorin luteran Bonhoeffer, viktimë e nazizmit, kur në veprën e tij Rezistenca dhe Dorëzimi. Letra dhe shkrime nga burgu, ai shkruan: “Problemi që nuk më lë kurrë të qetë është të dish se çfarë do të thotë vërtet për ne sot krishterimi apo edhe kush është Krishti”. “Fatkeqësisht – thotë Papa – shumë nuk ia bëjnë më vetes këtë pyetje dhe qëndrojnë ‘të qetë’ e edhe larg Zotit”.
Është e rëndësishme të pyesim veten: unë e lë veten të shqetësohem, pyes veten se kush është Jezusi për mua dhe çfarë vendi zë ai në jetën time? A e ndjek Jezusin vetëm me fjalë, duke vazhduar të kem një mentalitet botëror, apo e ndjek atë, duke lënë që takimi me Të të transformojë jetën time?
Apelet
Në fund të lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa edhe një herë bëri thirje paqen në zonat e konfliktit. Mendimet e tij janë edhe me popullsinë e Vietnamit dhe të Mianmarit, të cilët po vuajnë pasojat e përmbytjeve të shkaktuara nga tajfuni Yagi, me qindra viktima dhe të zhdukur. Së fundi, Papa kujton lumturimin në Mexico City të të Lumit Moisés Lira Serafíne dhe ditën e ndërgjegjësimit përSklerozën laterale amiotrofike, ose ALS.