Papa Françesku lë sot spitalin Gemelli, për t’u kther në Shtëpinë e Shën Martës, për dy muaj pushim të këshillueshëm

Papa Françesku pritet të bëjë paraqitjen e tij të parë pas pesë javësh të dielën. ( AP: Alessandra Tarantino )

Dalja nga spitali e Atit të Shenjtë u njoftua në një konferencë për shtyp në spitalin Gemelli, ku ndodhet i shtruar që prej më se një muaji. Mjekët iu përgjigjën shqetësimeve të besimtarëve në mbarë botën: “Dy herë, në rrezik jete”. Pas Engjëllit të Tënzot, në mesditë, Papa do të duket nga kati i dhjetë i Poliklinikës dhe më pas do të largohet për në Vatikan

Më në fund, lajmi i shumëpritur: Papa Françesku del nesër nga spitali Gemelli, ku ndodhet i shtruar që nga 14 shkurti për pneumoni nga të dyja krahët. Në një konferencë për shtyp, pikërisht nga Poliklinika universitare në Romë, mjekët sqaruan se ai është përmirësuar aq sa mund të kthehet në Shtëpinë e Shën Martës. Kushtet shëndetësore të Papës janë të qëndrueshme që prej dy javësh dhe problemet e shkaktuara nga infeksionet kryesore janë zgjidhur.

“Dy herë”, deklaroi Sergio Alfieri, kreu i ekipit të spitalit Gemelli, që ndoqi Françeskun, “Ati i Shenjtë kaloi kriza, që e vunë jetën e tij në rrezik”.

Duke filluar nga dita e nesërme, e diel, 23 mars, Papa do të jetojë në Stëpinë e Shën Martës, në një ambient të mbrojtur e nën kontroll për të paktën dy muaj. Oksigjenin do ta ketë pranë dhe nuk do të mund të punojë si zakonisht.

Gjithashtu, mjekët bënë të ditur se Papa ende duhet të rifitojë rrjedhshmërinë në të folur, pasi gjatë sëmundjes i ka sforcuar muskujt e frymëmarrjes dhe, aktualisht, ka vështirësi.

Françesku do të dalë nga spitali pas lutjes së nesërme të Engjëllit të Tënzot. Në mesditë, ai do të duket nga kati i dhjetë i spitalit Gemelli dhe më pas do të largohet nga Poliklinika për në Vatikan.

Papa, i kënaqur që kthehet në shtëpi
Papa “është shumë i lumtur”, që kthehet në Shtëpinë e Shën Martës. Pyeste për këtë që prej 3-4 ditësh, vërejtën mjekët, gjatë konferencës për shtyp, ku morën pjesë Sergio Alfieri, drejtor i Departamentit të Shkencave Mjekësore dhe Kirurgjike në spitalin Gemelli, njëkohësisht, drejtor i ekipit, që ndoqi Papën gjatë shtrimit të tij në Poliklinikë; Luigi Carbone, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Shëndetit dhe Higjienës në Vatikan dhe mjek kryesor i Atit të Shenjtë, si edhe Matteo Bruni, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

“Mjekët – nënvizoi Sergio Alfieri – po e nxjerrin nga spitali, në këtë fazë, duke këshilluar një periudhë pushimi prej dy muajsh, duke ndaluar takime me grupe, sforcime” dhe takime me njerëz, që mund të marrin me vete për të parë Papën, me të cilin mund të kenë caktuar një takim prej kohësh, sidomos, fëmijë të vegjël me rrufë, ose grip. Duke e respektuar, “ta ndihmojmë edhe ne”, kërkoi Alfieri.

Përgatitjet në Shtëpinë e Shën Martës
Mjeku i Papës, Luigi Carbone, shpjegoi se në Shtëpinë e Shën Martës nuk është ngritur asnjë strukturë apo dhomë e veçantë, por janë vlerësuar të gjitha “nevojat”, që mund të ketë Ati i Shenjtë, si, për shembull, nevoja për oksigjen. Për të do të kujdeset Drejtoria e Shëndetit dhe Higjienës në Vatikan, në gjendje të ofrojë një shërbim 24-orësh për çdo emergjencë. “Jemi përgatitur për ta mirëpritur atë në shtëpi”, deklaroi Carbone. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, mjekët nënvizuan edhe se Papa nuk ka pasur Covid e as ka diabet. Natyrisht, për zërin, theksuan se do të duhet kohë, që ai t’i kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu, ai nuk ka më pneumoni, por, meqenëse ajo ishte polimikrobike, sipas mjekëve, duhet kohë që Françesku të shërohet nga problematikat e të gjitha llojeve të mikrobeve. Papa ka rënë në peshë, por kjo nuk i shqetëson mjekët, pasi “ai ka rezerva”, bëri shaka Alfieri. Shkruan, ushqehet vetë, ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm e ka punuar nga pak, duke u informuar çdo ditë për gjithçka.

Ende asnjë vendim për ritet e Javës Shenjte
S’është marrë ende asnjë vendim për kremtimet e riteve të Javës Shenjte, deklaroi më pas, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni. Gjithashtu, nuk dihet nëse Papa do të mund të presë mbretin Charles, që sipas Buckingham Palace do të vijë në vizitë më 8 prill, si edhe nëse do të bëhet udhëtimi në Nikea për 1700-vjetorin e Koncilit, që i dha Kishës Besojmën. Gjithsesi, humori nuk i mungon Papës, siç vërejtën mjekët. “Është e qartë se kur ishte shumë i sëmurë e kishte të vështirë të ishte në humor të mirë”, pohoi dr. Alfieri. “Një mëngjes, si çdo ditë kur shkonim për t’i vizituar mushkëritë, pasi kishte kaluar një periudhë të keqe, e pyetëm: ‘Atë i Shenjtë, si jeni?’ Kur na u përgjigj: ‘Jam ende gjallë’, e kuptuam se ishte mirë, madje i ishte kthyer humori”.
R.SH. – Vatikan

SHKARKO APP