Papa Françesku përshëndet takimin e të rinjve nga vendet e Mesdheut dhe Detit të Zi me kryetaren e Kuvendit
Vajza dhe djem të besimeve të ndryshme fetare e nga shtete të ndryshme, u pritën sot në Kuvend në kuadrin e nismës MED 24 dhe porosisë së Papa Françeskut. Në takim përshëndeti kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, kryeipeshkvi i Metropolit Imzot Arjan Dodaj dhe Atë Alexis Leproux. Spiropali theksoi rolin e Shqipërisë si shembull i harmonisë, mirëkuptimit e tolerancës fetare dhe promotore e paqes. Ajo tha edhe se vëllazërimi është përgjigjja më e mirë ndaj konflikteve.
“U lumturova sot në mëngjes kur ndoqa videomesazhin e Papa Franceskut drejtuar këtij takimi, i cili, siç nënvizoi Ati i Shenjtë, “Zhvillohet 10 vjet pas udhëtimit tim të paharrueshëm në Shqipëri. Ju, të rinjtë e pesë brigjeve të Mesdheut, jeni brezi i ri dhe aveniri i rajonit të Mesdheut. Vëllazërimi mes pesë brigjeve të Mesdheut është përgjigja më e mirë që ne mund t’u japim konflikteve e indiferencave vrasëse. Përpiquni bashkarisht të kapni sinjalet e kohës.
Toleranca fetare e njohur e shqiptarëve ka kontribuar që besimet fetare të bëhen pjesë e jetës shpirtërore e shoqërore dhe komunitetet fetare të shkëmbejnë vlerat e tyre më të arrira duke u bere shembull edhe per politikanet. Fjala e urtë “Kisha jote është edhe kisha ime” në Shqipëri kjo është jetërsuar në sentencat “Xhamia jote është dhe imja. Teqeja jote është dhe imja”.
Mirëkuptimi dhe toleranca fetare janë jo vetëm një pasuri e jetës së shqiptarëve, por edhe një referencë dhe mësim i madh për të gjithë ne. Sidomos për ne politikanët. Ne duhet të mësojmë nga toleranca dhe mirëkuptimi fetar. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo në vendet tuaja. Zhvillimi, demokracia, paqja, mirëkuptimi e siguria nuk janë as dhuratë, as të mirëqena dhe as të garantuara. Ato kërkojnë kontributin e të gjithëve, por në radhë të parë të rinisë”,-tha Spiropali.