Papa Françesku: Sëmundja është shkollë dashurie, Zoti nuk na lë vetëm. Urim i papritur i tij në Shesh

Françesku përshëndet besimtarët në fund të Meshës për jubileun e të sëmurëve dhe të botës së shëndetësisë: “Faleminderit shumë!”. Së pari lutet, rrëfehet në Bazilikë dhe kalon Portën Shenjte. Kryeipeshkvi Fisichella lexon predikimin e Papës: “Të mos i flakim ata që janë të brishtë” dhe dhimbjen e tyre, larg jetës sonë. Ipeshkvi i Romës është i bindur se do të ndajë me të sëmurët, në këtë çast, “përvojën e ligështisë, ndjenjën e dobësisë, të varësisë nga të tjerët”

E papritur, në përfundim të Meshës jubilare për të sëmurët dhe botën e shëndetësisë, ishtë arritja e pamenduar e Papës Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit. Në një karrikë me rrota, i shoqëruar nga infermieri i tij personal, Massimiliano Strappetti, i cili e çon në altar, pas bekimit të fundit të kremtuesit, Kryeipeshkvit Fisichella, i drejton turmës së pafundme një përshëndetje të shkurtër: “Të diel të gëzueshme të gjithëve, faleminderit shumë!”. Në atmosferën e emocionit të të gjithë të pranishmëve në shesh, lexuesit, më pas, e përcjellin mesazhin e tij falënderues. Françesku i përshëndet “me dashuri ata që morën pjesë në këtë festë dhe i falënderon përzemërsisht që iu luten Zotit për shëndetin e tij, duke shpresuar që shtegtimi jubilar të jetë i pasur me fryte”. Më pas u jep bekimin apostolik “të dashurve, të sëmurëve dhe të vuajturve, si dhe të gjithë besimtarëve të mbledhur sot në Shesh”.

Papa, në shërim e sipër, ka një mori gjërash të përbashkëta me njëzet mijë shtegtarët, shumë prej të cilëve të sëmurë, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Meshën Jubilare të të sëmurëve dhe të botës së shëndetësisë. E këtë e rrëfen përmes predikimit, lexuar për të nga delegati, Kryeipeshkvi Rino Fisichella, pro-prefekt i Seksionit për çështjet themelore të ungjillizimit në botën e Dikasterit përkatës. Para leximit, Imzot Fisichela nënvizon se Papa Françesku “është veçanërisht pranë, se merr pjesë, si shumë të sëmurë, në këtë Eukaristi, e jo përmes televizionit”, siç pritej. Të gjithë besimtarët duartrokasin emocionalisht. Ndërsa Papa ndan “përvojën e dobësisë, të ndjenjës së varësisë nga të tjerët në shumë gjëra, të nevojës për mbështetje”. Nuk është gjithmonë e lehtë, por është shkollë në të cilën ne mësojmë çdo ditë të duam dhe t’i lejojmë të tjerët të na duan, pa kërkuar dhe pa refuzuar, pa keqardhje dhe pa dëshpërim. Mirënjohës ndaj Zotit dhe vëllezërve tanë për të mirat që marrim, të braktisur dhe të sigurt për atë që do të vijë.

Homelia
“Ja, unë bëj diçka të re: po mbin tani, nuk e vëreni?” (Is 43,19). Janë fjalët që Zoti, nëpërmjet Isaisë Profet, ia drejton popullit të Izraelit në mërgim, në Babiloni. Për izraelitët është kohë e vështirë, duket se gjithçka humbi”.

Këto janë fjalët e para të homelisë së Papës, drejtuar turmës që mbushte përplot Bazilikën e Vatikanit, ku sot kremtohej Jubileu i të sëmurëve dhe i botës së shëndetësisë. Jeruzalemi – vijon Françesku – u pushtua dhe u shkatërrua nga ushtarët e mbretit Nabucodònosor e popullit, të internuar, nuk i mbeti gjë prej gjëje. Horizonti dukej i mbyllur, e ardhmja e errët, shpresat të shuara. Gjithçka mund t’i bënte të mërguarit të liroheshin, të dorëzoheshin idhshëm, të ndjeheshin të pabekuar nga Zoti.

Kjo, situata në të cilën ndodhen izraelitët, ashtu si na e përshkruan Isaia Profet…

Diçka e re po lind
Megjithatë – kujton Papa – pikërisht në këto rrethana, ftesa e Zotit është të kuptojmë diçka të re, që po lind. Jo diçka që do të ndodhë në të ardhmen, por që tashmë po ndodh, po mbin si filiz.

Po për çfarë bëhet fjalë? Çfarë mund të lindë, ose më saktë çfarë mund të ketë mbirë tashmë në një tokë të shkretë dhe të dëshpëruar si kjo?

Po lind një popull i ri!
Ajo që po lind – shpjegon Françesku – është një popull i ri. Një popull që, pasi ka shembur siguritë e rreme të së kaluarës, zbulon çka është themelore:

“…të qëndrojë i bashkuar dhe të ecë së bashku në dritën e Zotit (shih Is 2.5). Një popull që do të mund ta rindërtojë Jeruzalemin sepse, larg Qytetit të Shenjtë, me tempullin tashmë të rrënuar, duke mos qenë më në gjendje të kremtojë liturgji solemne, ka mësuar të takojë Zotin në një mënyrë tjetër: në kthesën e zemrës (shih Jer 4:4), në praktikimin e ligjit dhe të drejtësisë, duke u kujdesur për ata që janë të varfër e nevojtarë përmes veprave të mëshirës”.

Ta përtërijmë besimin tonë në Zotin
Në vijim Papa kujton se ky është i njëjti mesazh që, në një mënyrë të ndryshme, mund ta kuptojmë edhe në fragmentin e Ungjillit (shih Gjn 8:1-11). Megjithatë, këtu është një njeri, një grua, së cilës i shkatërrohet jeta: jo nga një mërgim gjeografik, por nga një dënim moral. Është mëkatare e, për këtë arsye, larg ligjit, e dënuar me përjashtim e me vdekje. Duket se për të nuk ka mbetur më asnjë shpresë. Por Zoti nuk e braktis:

“Në të vërtetë, pikërisht në kohën kur torturuesit po i shtrëngojnë gurët në duar, pikërisht aty, Jezusi hyn në jetën e saj, e mbron dhe e largon nga dhuna e tyre, duke i dhënë mundësinë të nisë një jetë të re: “Shko”- i thotë ai – “je e lirë”, “je e shpëtuar” (shih v. 11)”.

Ta përtërijmë besimin tek Zoti
Me këto histori dramatike dhe prekëse – vijon Papa – liturgjia na fton sot ta përtërijmë, në shtegtimin e Kreshmëve, fenë tonë në Zotin, i cili është gjithmonë pranë nesh për të na shpëtuar.

“Nuk ka asnjë mërgim, asnjë dhunë, asnjë mëkat, as ndonjë realitet tjetër të jetës që mund ta pengojë të qëndrojë në derën tonë dhe të trokasë, gati për të hyrë sapo ta lejojmë (shih Zbulesa 3:20). Veçanërisht kur sprovat bëhen më të vështira, hiri dhe dashuria e tij na mbajnë edhe më fort, për të na ngritur përsëri në këmbë”.

T’ia besojmë Zotit çdo dhimbje
Motra dhe vëllezër – vijon Papa – ne i lexojmë këto tekste teksa festojmë Jubileun e të sëmurëve dhe të botës së shëndetësisë, e sigurisht sëmundja është një nga sprovat më të vështira dhe më të ashpra në jetë, në të cilën e prekim me dorë sa të brishtë jemi. Mund të na bëjë të ndihemi si njerëzit në mërgim, ose si gruaja në Ungjill: pa shpresë për të ardhmen. Por nuk është kështu.

“Edhe në këto çaste Zoti nuk na lë vetëm e, nëse i lëshohemi në dorë, pikërisht aty ku na mungojnë forcat mund të përjetojmë ngushëllimin e pranisë së tij. Ai vetë, i bërë njeri, donte ta ndante në gjithçka ligështinë tonë (shih Fil 2:6-8), ndaj e di mirë se çfarë është vuajtja (shih Is 53:3). Prandaj ne mund t’ia shprehim dhe t’ia besojmë dhimbjen tonë Atij, të sigurt se do të gjejmë dhembshuri, afërsi dhe butësi”.

Por jo vetëm kaq. Me dashurinë e tij plot besim, na nxit të bëhemi për njëri-tjetrin, “engjëj”, lajmëtarë të pranisë së tij deri në atë pikë, sa shpesh, si për ata që vuajnë, ashtu edhe për ata që ndihmojnë, shtrati i të sëmurit mund të shndërrohet në një “vend të shenjtë” shpëtimi dhe shpengimi.

Gjithçka është dhuratë nga Zoti
Më pas Papa përshëndet mjekët, infermierët dhe anëtarët e personelit shëndetësor. Ndërsa ju kujdeseni për pacientët tuaj, veçanërisht për ata më të brishtët – u kujton – Zoti ju ofron mundësinë për ta përtërirë vazhdimisht jetën tuaj, duke e ushqyer me mirënjohje, mëshirë dhe shpresë (shih Bulën Spes non confundit, 11). Ju thërret ta ndriçoni me vetëdijen e përulur se asgjë nuk merret e gatshme e se gjithçka është dhuratë nga Zoti:

“Çka vlen, është ta ushqesh me atë humanizëm që jetohet kur, duke i lënë mënjanë paraqitjet, mbetet ajo që ka rëndësi: gjestet e vogla dhe të mëdha të dashurisë. Lejoni që prania e të sëmurit të hyjë në jetën tuaj si dhuratë, për të shëruar zemrën tuaj, duke e pastruar nga çdo gjë që nuk është bamirësi dhe duke e ngrohur me zjarrin shndritshëm e të ëmbël të mëshirës”.

Në dhomën e spitalit mund të dëgjohet zëri i Zotit!
Ndërsa homelia i afrohet fundit, Papa vijon t’u drejtohet ëmbëlsisht të sëmurëve: “Me ju, pra, të dashur vëllezër dhe motra të sëmurë, në këtë çast të jetës sime ndaj shumë gjëra: përvojën e sëmundjes, ligështinë, varësinë nga të tjerët për gjithçka, nevojën për mbështetje:

“Nuk është gjithmonë e lehtë, por është shkollë në të cilën mësojmë çdo ditë të duam e të na duan, pa kërkuar e pa kundërshtuar, pa keqardhje dhe pa dëshpërim, mirënjohës ndaj Zotit dhe vëllezërve tanë për të mirat që marrim, të braktisur dhe të sigurt për atë që do të vijë. Dhoma e spitalit dhe shtrati i të sëmurëve mund të jenë vende ku mund të dëgjohet zëri i Zotit, i cili gjithashtu na thotë: ‘Ja, unë bëj diçka të re: po mbin tani, a nuk e vëreni?’. E kështu të përtërijmë dhe ta forcojmë fenë”.

Shoqëria që nuk pranon vuajtjen, është mizore dhe çnjerëzore
Papa kujton Benediktin XVI – i cili na dha një dëshmi të bukur qetësie në kohën e sëmundjes së tij, duke shkruar se “masa e të qenit njeri përcaktohet kryesisht në marrëdhëniet me vuajtjen” dhe se “një shoqëri që nuk është në gjendje ta pranojë vuajtjen […] është mizore dhe çnjerëzore” (Letra Enciklike Spe Salvi, 38). E vërtetë: përballimi i vuajtjeve së bashku na bën më njerëzorë, e ndarja e dhimbjes është fazë e rëndësishme në çdo rrugë drejt shenjtërisë.

Në përfundim të homelisë, një përshëndetje prekëse
Të dashur, të mos i largojmë tej jetës sonë ata që janë të brishtë, si vepron fatkeqësisht ndonjëherë sot një lloj mendësie; të mos i mënjanojmë dhimbjet nga mjediset tona. T’i shndërrojmë më mirë në mundësi për t’u rritur së bashku, për të kultivuar shpresë falë dashurisë që Zoti derdhi fillimisht në zemrat tona (shih Rom 5.5) e që, përtej çdo gjëje, është çka mbetet përgjithmonë (shih 1Kor 13.8-10.13).

R.SH. – Vatikan

SHKARKO APP