Papa Françesku: Shenjtorët, shërbëtorë të përvuajtur, larg tundimit të pushtetit
E nisi me një pyetje të Jezusit drejtuar Jakobit dhe Gjonit apostuj Papa Françesku homelinë e Meshës për Shenjtërimin e të Lumëve Manuel Ruiz Lopez me shtatë Shokë: “Çfarë doni të bëj për ju?” (Mk 10,36). Dhe menjëherë pas i nxiti: “A mund të pini kupën, që pi unë, apo të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin jam pagëzuar?” (Mk 10,38). Jezusi bën pyetje – shpjegoi Papa – dhe, pikërisht në këtë mënyrë, na ndihmon të dallojmë, sepse pyetjet na bëjnë të zbulojmë atë që kemi brenda nesh, ato ndriçojnë atë që mbajmë në zemrat tona.
Le ta lejojmë veten të pyetemi nga Fjala e Zotit – ftoi në vijim Papa – Të mendojmë se po na na pyet ne, secilin: “Çfarë doni të bëj për ju?”; “A mund ta pini të njëjtin kelk, si unë?”.
Krishti e pretendimet e dishepujve të Tij
Nëpërmjet këtyre pyetjeve – shpjegoi Papa – Jezusi nxjerr në pah lidhjen dhe pritshmëritë që kanë dishepujt ndaj tij, me dritat dhe hijet tipike për secilin. Jakobi dhe Gjoni janë të lidhur me Jezusin, por kanë pretendime. Shprehin dëshirën për të qenë pranë Tij, por vetëm për të zënë një vend nderi, për të luajtur një rol të rëndësishëm, për t’u “rrethuar me lavdinë e tij djathtas dhe majtas” (Mk 10,37):
“Ata, me sa duket, mendojnë për Jezusin si një Mesi fitimtar, të lavdishëm dhe presin që Ai të ndajë lavdinë e Tij me ta. E shohin Jezusin si Mesi, por e imagjinojnë sipas logjikës së fuqisë”.
Jezusi lexon e zbulon zemrën
Jezusi nuk ndalet në fjalët e dishepujve, por thellohet, dëgjon dhe lexon zemrën. Dhe, në dialog, përmes dy pyetjeve, përpiqet të nxjerrë në pah dëshirën pas atyre kërkesave:
“Fillimisht pyet: ‘Çfarë do që të bëj për ty?”; dhe kjo pyetje zbulon mendimet e zemrave të tyre, nxjerr në pah pritjet e fshehura dhe ëndrrat e lavdisë që dishepujt kultivojnë fshehurazi. Është sikur Jezusi të pyesë: “Kush dëshiron të jem për ty?” dhe, kështu, zbulon çka dëshirojnë vërtet: një Mesi të fuqishëm dhe fitimtar, i cili do t’u sigurojë atyre një vend nderi”.
Krishti nuk është mesia, që mendohet, po Zoti i dashurisë
Me pyetjen e dytë – vijoi Papa – Jezusi e mohon këtë përfytyrim të Mesisë dhe në këtë mënyrë i ndihmon ata të ndryshojnë, domethënë, të bëjnë kthesë: “A mund ta pini kupën që pi unë, apo të pagëzoheni në pagëzimin me të cilin u pagëzova?”.
Ai nuk është Mesia, por Zoti i dashurisë
Në këtë mënyrë u zbulon se nuk është Mesia që mendojnë; është Zoti i dashurisë, që poshtërohet për të arritur tek të poshtëruarit; që bëhet i ligësht, për të ngritur të ligshtin, që punon për paqen dhe jo për luftën, që erdhi për të shërbyer, e jo për t’u shërbyer:
“Kupa që do të pijë Zoti është oferta e jetës së tij, që na u dhurua nga dashuria, deri në vdekje, vdekje në kryq”.
I drejti i dënuar bëhet skllav i të gjithëve
Dhe, pastaj – kujtoi në vijim Papa – në të djathtë dhe në të majtë të tij do të jenë dy hajdutë, të varur si Ai në kryq dhe jo të ulur në vendet e pushtetit; dy hajdutë të gozhduar me Krishtin në dhimbje, jo të ulur në lavdi
“Mbreti i kryqëzuar, i drejti i dënuar, bëhet skllav i të gjithëve: ky është me të vërtetë Biri i Hyjit! (krh. Mk 15,39). Nuk fiton ai që sundon, por ai që shërben nga dashuria”.
Letra drejtuar Hebrenjve na e kujtoi edhe këtë: “Ne nuk kemi një kryeprift që nuk di të marrë pjesë në dobësitë tona; ai vetë është sprovuar në çdo gjë ashtu siç jemi ne” (Hebrenjve 4:15).
Jezusi i ndihmon dishepujt ta ndryshojnë mendësinë
Në këtë pikë – shpjegoi Papa – Jezusi mund t’i ndihmojë dishepujt të bëjnë kthesë, të ndryshojnë mendësinë:
“Ju e dini se ata që konsiderohen si sundimtarë të kombeve i sundojnë ata e udhëheqësit e tyre i shtypin” (Mk 10:42). Por kushdo që ndjek Krishtin, nëse dëshiron të jetë i madh, duhet të shërbejë, duke mësuar prej Tij.
Jezusi na ndihmon të mendojmë sipas stilit të Zotit
Vëllezër dhe motra – theksoi në vijim Papa – Jezusi zbulon mendimet, dëshirat dhe parashikimet e zemrës sonë, ndonjëherë duke demaskuar pritshmëritë tona për lavdi, për sundim, për fuqi:
“Ai na ndihmon të mendojmë jo më sipas kritereve të botës, por sipas stilit të Zotit, i cili bëhet i fundmi, që të fundit të ngrihen dhe të bëhen të parët. Këto pyetje të Jezusit, me mësimin e tij mbi shërbimin, shpesh janë të pakuptueshme për ne, siç ishin edhe për dishepujt. Por duke e ndjekur Atë, duke ecur në gjurmët e Tij dhe duke mirëpritur dhuratën e dashurisë së Tij, e cila ndryshon mënyrën tonë të të menduarit, edhe ne mund të mësojmë stilin e Perëndisë: shërbimin”.
Këtë duhet të dëshirojmë: jo pushtet, por shërbim. Shërbimi është stili i jetës së krishterë. Lind nga dashuria dhe dashuria nuk njeh kufij, nuk bën llogari, dhurohet! Është diçka që vjen nga zemra, një zemër e përtërirë nga dashuria dhe në dashuri.
Kur shërbejmë, vijojmë punën e Krishtit në botë
Kur mësojmë të shërbejmë – vijoi Papa – çdo gjest ynë i vëmendjes dhe i kujdesit, çdo shprehje butësie, çdo vepër mëshirë bëhet pasqyrim i dashurisë së Zotit. E kështu ne vazhdojmë punën e Jezusit në botë.
Dritë, që na kujton Lumnimin e sotëm
Në dritën e lumnimit të sotëm – theksoi Papa – ne mund të kujtojmë dishepujt e Ungjillit, të cilët u lumnuan sot.
“Gjatë gjithë historisë së munduar të njerëzimit, ata qenë shërbëtorë besnikë, burra e gra që shërbyen në martirizim dhe në gëzim, si Fra Manuel Ruiz Lopez dhe shokët e tij. Janë priftërinj dhe gra me pasion misionar, si Don Giuseppe Allamano, Motra Paradis Marie Leonie dhe Motra Elena Guerra”.
Këta shenjtorë të rinj jetuan stilin e Jezusit: shërbimi, kujtoi Papa Françesku në përfundim të homelisë :
“Besimi dhe apostullimi që kryen nuk u ushqyen nga dëshirat e kësaj bote e nga epshet për pushtet! Përkundrazi, u bënë shërbëtorë të vëllezërve të tyre, krijues në shërbim të së mirës, të palëkundur në vështirësi, bujarë deri në fund”.
E kërkojmë me besim ndërmjetësimin e tyre, që edhe ne të mund të ndjekim Krishtin, ta ndjekim në shërbim dhe të bëhemi dëshmitarë të shpresës për botën!