Papa përshëndetje të veçantë për kardinalin Ernest Simoni: 28 vite burg, është një martir i gjallë
Papa Françesku ka pasur një përshëndetje të veçantë për kardinalin shqiptar Ernest Simoni. Kardinali i cili vuajti burgim, persekutim dhe kërcënime me vdekje për rreth 28 vite gjatë regjimit komunist, ishte i pranishëm sot në audiencën e përgjithshme në sallën Pali VI, i ulur në karriget anash Papës, ku zakonisht qëndrojnë ipeshkvijtë dhe kardinajtë.
Pas diskutimit të historisë së martirizimit të krishterë në Romën e lashtë, Papa tha se edhe sot ka shumë martirë në mbarë botën dhe i dha një përshëndetje të veçantë kardinalit Ernest Simoni, të cilin quajti një “martir të gjallë”. Papa Françesku e falënderoi sepse edhe sot “ai vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u dekurajuar”.
“Sot marr guximin të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë, kardinalin Simoni. Si prift-ipeshkëv ai kaloi 28 vjet në burg. Burgu komunist i Shqipërisë, që ishte ndoshta persekutimi më mizor. Dhe ai vazhdon të dëshmojë. Dhe shumë e shumë si ai. Ai është tani 95 vjeç dhe vazhdon të punojë për Kishën pa u dekurajuar. Faleminderit për dëshminë tuaj. Të gjithë ne kemi lexuar historitë e martirëve të parë të Kishës. Ka edhe këtu shumë: aty ku është Vatikani ka një varrezë dhe shumë janë varrosur këtu. Kur kryhen gërmime, gjenden këto varre. Por edhe sot ka shumë dëshmorë në mbarë botën. Ndoshta më shumë se fillimi. Ka shumë të persekutuar për besimin e tyre”, tha Papa.