“Papritur arti i saj nuk vlen më”, Julian Deda: Pse sulmohet Elhaida Dani!

Aktori Julian Deda, gjithashtu përfaqësues i forumit të të rinjve demokratë, i del në mbrojtje këngëtares që përfaqësoi Shqipërinë në Eurosong, Elhaida Dani. Kjo e fundit është sulmuar pas festivalit evropian, pse doli në një spot, në krah të kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. “Me keqardhje konstatoj, që shumë nga facebook-ist dhe media online-ist, po e kryqëzojnë, sigurisht me fjalë, pjesëmarrjen e Elhaida Danit në  spotin e njërit prej kandidatëve për kryetar bashkie. Sipas tyre, papritur kjo këngëtare nuk di më të këndojë, zëri i saj nuk është më i bukur, arti brenda saj nuk vlen më. Mua personalisht nuk më duket i drejtë si veprim,” – thotë në reagimin e tij Julian Deda.

“Pavarësisht se Eli në atë spot mbështet një kandidat, për të cilin unë personalisht jam kundër,” – shton ai, “përsëri ne duhet të kuptojmë që gjithkush (edhe artisti) ka të drejtën e zgjedhjes politike që dëshiron. Unë nuk e di cilat janë arsyet që ajo është përfshirë në spot dhe nuk më  interesojnë, sepse janë  të  sajat, por ajo që unë vazhdoj të mendoj për këngëtaren në fjalë është se ajo vazhdon të jetë një nga më të mirat që kemi. Vazhdoj të mendoj se ajo na ka përfaqësuar denjësisht kudo ku ka kënduar dhe këtë nuk ia ndryshon dot përfshirja e saj politike,” – reagoi Julian Dede.

Më herë aktori mësohet se ka përjetuar disa sulme të ngjashme nga të majtët kur u bë pjesë e PD-së dhe duket se ka reaguar në rastin e Elhaidës, duke qenë se ka përjetuar diçka që e quan të padrejtë.

SHKARKO APP