Papunësia, problem tek të rinjtë
Papunësia ka pësuar rënie këtë vit, duke zbritur në fund të qershorit, që është edhe e dhëna e fundit zyrtare në 11.5%. Sipas Institutit të Statistikave, bëhet fjalë për një ulje të papunësisë me 0.9% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Papunësia mbetet shqetësuese kryesisht për të rinjtë dhe vlerësohet në masën 20.9%.
A kemi realisht një zbutje të papunësisë? Disa elementë, që lidhen me mënyrën sesi matet kjo dukuri në vendin tonë lënë hapësira për skepticizëm. Së pari, zyrtarisht të papunë quhen vetëm ata që regjistrohen si të tillë pranë zyrave të punësimit. Por jo të gjithë të papunët sot regjistrohen.
Nga ana tjetër, në bazë të ligjit të gjithë ata që jetojnë në fshat dhe kanë një zotërim një tokë, quhen të punësuar, edhe pse këtë ngastër mund të mos ta shfrytëzojnë e të mos nxjerrin prej saj të ardhura. Një tjetër element që ka çuar në uljen e papunësisë është edhe emigrimi me largimin e një mijëra shqiptarëve, kryesisht të rinjve, çka automatikisht çon edhe në reduktimin e numrit të të papunëve.