Paqartësi për aplikimet, qytetarët në pritje për të marrë “OK” nga policia
Shumë qytetarë shpenzojnë orë pa fund para zyrave të Policisë së shtetit për tu pajisur me autorizim për të lëvizur gjatë orareve të ndaluara. Pavarësisht se është prezantuar aplikacioni online për këtë, ka ende shumë paqartësi.
Ky qytetar shprehet se 10 ditë më parë ka kryer aplikimet e nevojshme për të lëvizur për arsye biznesi por ende nuk ka asnjë përgjigje nga autoritetet.
“Kam ardhur një tre herë këtu. Shefi me tha që do të marr në telefon, por asnjë nuk ka kthyer përgjigje”
Drejtuesit e mjeteve gjithashtu shprehen se oraret e vendosura nga qeveria janë të pamjaftueshme për bizneset, ndërsa një prej tyre madje është ndëshkuar duke u kthyer nga puna.
“Ma bllokoi policia dje, ke kaluar 20 minuta nga orari tha. Unë nuk mund të punoj dot në orën 5 të mëngjesit. Ishte orar me detyrim”
Aplikimet janë nga më të ndryshmet, por një prej rasteve është dhe një qytetar nga Fieri që kërkon leje për të ardhur në Tiranë për të tërhequr nga morgu trupin e vëllait të tij, i cili ka humbur jetën nga koronavirusi.
Nisur nga shkeljet e shumta të qytetarëve, policia e shtetit bën me dije se janë ndëshkuar gjatë 24 orëve të fundit 71 këmbësor me nga 10 mijë lekë, pasi lëviznin pa ndonjë arsye apo emergjencë. Krahas tyre janë ndëshkuar dhe 34 shoferë për shkelje të urdhrit të ndalim qarkullimit, si dhe 24 njësi tregtare që mbanin hapur biznesin jashtë orarit të lejuar.