Para, pasion dhe tradhëti. Detaje nga dosja e bujshme e vrasjes së Billës
Policia e Shtetit, bëri me dije se pas 15 ditësh vëzhgime, ka arrestuar Adiola Lakrën, si personi kyç që çoi në ekzekutimin e Hekuran Billës. Mësohet se Lakra, në të vërtetë ishte e dashura e Sebastian Malit, nipit të Viktor Markut, të cilët janë gjithashtu në burg për të njëjtën çështje.
E shtyrë nga Mali dhe e joshur nga paratë që iu ofruan, Lakra ka marrë përsipër të afrohet me Hekuran Billën dhe të krijojë një lidhje intime me të dhe duke krijuar kështu një trekëndësh bashkëpunimi. Përreth një viti, siç ka rrëfyer edhe vetë 26-vjeçarja përpara grupit hetimor, Lakra kishte mbajtur lidhjen me Billën, duke i raportuar çdo lëvizje të dashurit të saj, 22-vjeçarit Sebastian Mali.
Roli që pati Mali në vrasjen e Billës është faktuar edhe nga bisedat që ka patur Lakra me të. Vetë Adiola, pranoi përpara grupit hetimor se gjithçka e kishte bërë për para dhe se lekët në këmbim të porosisë ia kishte premtuar Viktor Marku, i cili ndodhet pas hekurave si ekzekutori i 40-vjeçarit. Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, të cilët mendohet të kenë pasur lidhje me ngjarjen.