Para protestës Ministria e Brendshme njofton për dy paga shtesë forcave speciale

 

Ne radhe te pare u takojne pasi jane forca qe sigurojne rendin publik. I meritojne pagat shperblim. Por momenti qe ua komunikuan pak para protestes se sotme te opozites bie paksa ere e keqe. Ua thane per ti karikuar nese protesta merr drejtim te eger?

Rreth 2 mijë punonjës së Policisë së Shtetit do të marrin shpërblim financiar deri në 2 paga në muaj. Por shpërblimi do të jetë vetëm për efektivët me rezultate të larta në krye të detyrës. Ndërkaq, në vendimin e Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar një fond prej 98 milionë e 400 mijë lekësh, shumë kjo e cila do të përdoret për efektivët e policisë. Këto janë rreth 1700 deri në 2000 policë.  Punonjësit e policisë që do të përfitojnë nga kjo shumë do të jenë ata të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë më shumë arritje në aksione. Por, nuk do të përjashtohen edhe punonjësit e komisariateve, apo edhe ata të Drejtorive të Policisë në qarqe.

Shpërblimi për policët do të shpërndahet gjatë muajit dhjetor, pasi të hartohet lista me përfituesit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar gjatë mbledhjes së djeshme thuhet: “Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor ‘Policia e Shtetit’, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore”.

Tri ditë më parë, Ministria e Brendshme njoftoi se të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit pritet që brenda muajit dhjetor të marrin edhe paratë që u takojnë për orët e punës jashtë shërbimit. Shuma e parave që do të paguhet për çdo efektiv është me 20% shtesë. 

SHKARKO APP