Para takimit Rama-Sunak, reagon qeveria britanike: E vlerësojmë komunitetin shqiptar, por…
Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe, dhe në një intervistë për ”Radio 4” në Londër u shpreh se deklaratat e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, për emigrantët shqiptarë ishin të turpshme. Por qeveria britanike e cila ka reaguar menjëherë, thotë se Sunak po pret me padurim diskutime konstruktive me Ramën rreth emigracionit të paligjshëm këtë pasdite.
“Mendoj se do të vazhdojmë qartësisht të sigurohemi që të bisedojmë për këtë në një mënyrë të faktuar, të drejtë dhe të ndjeshme. Dhe ky është toni që keni dëgjuar nga Kryeministri (Rishi Sunak) për këtë çështje. Para së gjithash ne kërkojmë që të ndalojmë njerëzit e pambrojtur që të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme në të cilat kemi parë njerëz të humbin jetët e tyre.
Ne e vlerësojmë komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe mirëpresim çdo shqiptar që udhëton në Mbretërinë e Bashkuar ligjërisht dhe kontribuon në shoqërinë tonë. Sidoqoftë realiteti është që po shohim një numër të lartë shqiptarësh që po rrezikojnë jetën e tyre për të ndërmarrë udhëtime të paligjshme dhe të rrezikshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo vendos nën presion sistemin e azilit”, tha zëdhënësi për mediat britanike.