Paralajmërimi i frikshëm i OBSH-së: Bota po hyn në një fazë të rrezikshme
Më shumë se 150.000 raste të reja koronavirusi u raportuan dy ditë më parë nga OBSH-ja, “shifra më e lartë e një dite të vetme deri tani”, deklaroi kreu i saj Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Pothuajse gjysma e rasteve u raportuan në Amerikën e Veriut e atë të Jugut, e ndërkohë numrat janë rritur edhe në Azi e në Lindjen e Mesme”, shtoi ai. Tedros paralajmëroi se “bota është në një fazë të re të rrezikshme. Vendet, është e kuptueshme, mezi presin hapjen e plotë të shoqërive dhe ekonomive të tyre.
Po virusi po përhapet shpejt, vazhdon të jetë vdekjeprurës dhe shumë njerëz janë të cenueshëm”, u shpreh ai.
OBSH vazhdon të bëjë thirrje për ruajtjen e distancës mes njerëzve, të qëndrojnë në shtëpi nëse ndihen keq, të mbajnë maska e të lajnë duart vazhdimisht. Në fund të prillit megjithatë, ishte e njëjta organizatë që deklaronte se nuk ishte e nevojshme që njerëzit e shëndetshëm të mbanin maskë.