Paralajmërimi i OKB-së: Ky vit do të jetë më i nxehti në historinë njerëzore

Ky vit do të jetë më i nxehti në historinë njerëzore, tha kreu i Kombeve të Bashkuara në fillim të samitit të klimës COP28.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se të dhënat tregojnë se “ne po jetojmë kolapsin klimatik në kohë reale”.

Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë dhe të përmbushë angazhimet e tij për klimën, ai tha se të dhënat duhet të dërgojnë “të dridhura te liderët botërorë”.

Komentet e tij erdhën pasi Organizata Botërore Meteorologjike tha se ishte “pothuajse e sigurt” që viti 2023 do të thyente rekordin global të temperaturës.

Ekziston frika se viti 2024 mund të jetë edhe më i ngrohtë për shkak të El Niño.

Guterres vuri në dukje në fjalimin e tij se nivelet e detit dhe temperaturat e sipërfaqes së detit kanë arritur nivele rekord dhe se nivelet e akullit të detit Antarktik kanë arritur nivele rekord gjithashtu.

SHKARKO APP