Parametrat e sigurisë rrugore, ekspertët: Rritje të aksidenteve, policia në çdo aks
Parametrat e sigurisë rrugore janë përmirësuar, falë dhe masave të marra nga Drejtoria e Policisë Rrugore. Simon Mice, Specialist i Sigurisë Rrugore, pranë Policisë së Shtetit, në një interviste për ”Agjencinë Telegrafike Shqiptare”, thotë se duke parë 10-mujorin e këtij vitit mund të themi se situata e aksidenteve është në shifrat 1425. ”Nga këto kemi 182 të vrarë, 221 të plagosur rëndë dhe 1310 të plagosur dhjetë. Po të krahasojmë me vitin e shkuar, kemi 197 aksidente më pak se vitin e shkuar. Kemi shifra të rritura me pasoja të vrarë me 14, por kemi kemi shifra në ulje të aksidenteve me plagosje të rënda dhe të lehta”.
Nga ana tjetër, ai thotë se situata në përgjithësi po monitorohet nga shërbimi i policisë rrugore dhe nga drejtoria qendrore e Policisë së Shtetit, në akset Lezhë, Fier, Elbasan dhe Tiranë me masa të përqendruara me kontrolle të elementeve të shpejtësisë dhe përdorimi alkoolit. ”Ka një mirëkuptim nga përdoruesit e rrugës për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Plani kontrolli po bëhet në akset “Lezhë-Durrës”, “Durrës-Elbasan” dhe brenda për brenda Tiranës, që po monitorohet nga komisariati vendor i Policisë Rrugore. Tani nis dhe sezoni i dimrit dhe janë marrë masat me kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve për hedhjen e skorjes për dëborën dhe gjithashtu bëjmë thirrje për drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në udhëtimet e tyre në zonat malore kur ka prezencë dëbore”.
Specialisti i Sigurisë Rrugore, Fisnik Ziçishti, pohon se ka ulje të aksidenteve rrugore në krahasim me vitet e shkuara, që vjen për shkak të rregullimit të infrastrukturës rrugore, ku janë vendosur me korrektësi të gjitha tabelat, si vertikale dhe ato horizontale.
”Aksidentet vijnë për tre arsye, infrastruktura rrugore, automjetet jo të sigurta dhe faktori njeri. Kemi drejtues mjetesh që nuk zbatojnë në maksimum rregullat e qarkullimit, po ashtu kanë automjete jo gjithnjë të sigurta, ndërsa dhe infrastruktura rrugore jo gjithnjë është në nivelin e duhur. Policia Rrugore në Shqipëri në të gjitha akset rrugore po punon vrullshëm dhe ka marrë dhe masa shtesë, si në sezonin turistik që kaloi, dhe në sezonin dimëror që po afrohet. Natyrshëm që duhet edhe më shumë punë për të rritur edhe më tej nivelin e sigurisë në rrugë. Unë i bëj thirrje drejtuesve të mjeteve që nëse shkojnë në zonat malore, ku mund të ketë dhe borë duhet të kenë kutinë e ndihmës së shpejtë dhe zinxhirët e gomave, për të mënjanuar çdo problematikë që mund të hasin”.