Parandalimi i dhunës në shkolla, Kushi: Forcojmë rolin e punonjësve psiko-socialë dhe oficerëve të sigurisë
Këtë të enjte është prezantuar raporti për parandalimin e dhunës në shkolla. Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se fokusi do të jetë rritja e rolit të punonjësve psiko-social.
“Shërbimi psiko-social po forcohet, jo çdo vit e më shumë, por çdo ditë e më shumë. Këtu jo vetëm kemi rritur numrat e punonjësve psiko social në institucionet tona arsimore, por punojmë çdo ditë për trajnimin e tyre. Së fundmi hartuam vitin e kaluar dhe protokollet për ta standardizuar, për ta unifikuar këtë shërbim në të gjitha institucionet arsimore, në të gjitha shkollat, po kështu këtë vit do të fokusohemi te kabinetet e shërbimit psiko-social, për t’i pajisur ato me të gjitha mjetet e duhura në mënyrë që ky shërbim të jetë sa më optimal, sa më cilësor”.
Kushi theksoi se një aspekt tjetër i rëndësishëm janë edhe oficerët e sigurisë. Ky shërbim nisi para disa vitesh me vetëm me 150 oficerë sigurie vetëm në shkollat e mesme, ndërkohë që vitin e kaluar u shtua me 75 të tjerë, duke përfshirë edhe shkollat 9 vjeçare që kanë një numër të lartë nxënësish.
“Unë dua të përmend shumë shkurt disa nga masat dhe politikat që ne kemi ndërmarrë vitet e fundit në këtë drejtim që lidhen me kurrikulën në radhë të parë që e kemi pasuruar, e kemi përshtatur në të gjitha ciklet e sistemit paraunivesitar, në lëndë të ndryshme, sigurisht të integruar, po edhe në shumë projekte dhe aktivitete jashtë kurrikulare, pikërisht që nxënësit të njohin të drejtat e njeriut, të njohin konceptet e barazisë gjinore, luftën kundër trafikimit, kundër bullizimit, kundër ekstremizmit”.