Parandalohet ngjarja e rëndë kriminale, 29 vjeçari kapet me 21 kg lëndë plasëse gati për shpërthim

Një 29 vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit. Albi Mecini, banues në Kamëz, u kap me 2 çanta brenda të cilave kishte 2 pako me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Sipas njoftimit të policisë Mecini ishte gati për një ngjarje të rëndë kriminale.

Gjithashtu në një automjet afër zonës ku u kap 29 vjeçari u gjetën dhe 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Albi Mecini së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë dyshohet nga policia se kanë rrëmbyer shtetasit Leonard Thodori dhe Fatmir Sulovari.

Kapja e Mecinit u bë e mundur në aksin rrugor “Mbrostar-Fier” pasi policia kishte informacione nga inteligjenca policore. Në kërkim u shpall nga policia Arafat Manërkolli dhe Ervis Cukali, pasi i siguruan Mecinit lëndën plasëse për ngjarjen tjetër kriminale.

Ndërsa Gjykata e Sarandës shpalli në kërkim për “Rrëmbim ose mbajtje peng personi” shtetasin Sebastian Lataj, bashkëpunëtor i Albi Mecinit.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Finalizohet megaoperacioni policor i koduar “MISTERI”.

Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale.

✅Me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.

✅29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve L. Th. dhe F. S., të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023.

Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.

-Në kuadër të këtij megaoperacioni, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Kamzë, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku u kap shtetasi A. M., u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.

-Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .

Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.

SHKARKO APP