Parandalohet tjetër tragjedi nga tërmeti i mëngjesit të sotëm në Tiranë

Lëkundjet e tërmetit që tronditën sërish Shqipërinë mëngjesin e dielës me magnitudë 4, kanë lëkundur sërish godinat e dëmtuara nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit. Ky është pallati që dy javë më parë i mori jetën studentes së Arkitekturës, Xhesika Biqiku.

Atë mëngjes 20-vjeçarja nxitoi të largohej nga banesa pas lëkundjeve të forta, por shkëputja e disa tullave nga parapetat e katit të pestë të pallatit i morën jetën.
Pak metra larg pallatit ku humbi jetën Xhesika, një tjetër objekt banimi pas lëkundjeve të mëngjesit të sotëm është kthyer në një rrezik për banorët e kësaj zone të Kombinatit. Efektivë të Policisë Bashkiake kanë vendosur perimetrin e sigurisë për banorët, ndërkohë që Shefi i Zjarrfikëseve të Kombinatit Luan Shehu drejton operacionin për heqjen e parapeteve që përbëjnë rrezik.

Në katin e pestë efektivë të zjarrfikëseve ndërhyjnë për të hequr tullat e lëvizshme dhe parapetet që përbëjnë rrezik për jetën e banorëve.
Për më shumë se 30 minuta punonjës të shërbimit zjarrfikës punuan për të larguar pjesët e rrezikshme, ndërkohë që do të jenë ekspertët ata të cilët do të vendosin për mënyrën e ndërhyrjes në objekt.

Parapetet e kateve të sipërme, për shkak të amortizimit por edhe peshave të shtuara të depozitave janë kthyer në një rrezik të shtuar për banorët që jetojnë në këtë zonë.
Shërbimet e zjarrfikëseve janë duke punuar për largimin e pjesëve të dëmtuara por banorët ende janë në pritje të një ndërhyrjeje më të specializuar që të ofroj siguri për jetën e tyre./ Burimi: ABC News

Zjarrfikesit parandalojne tjeter tragjedi nga termeti i mengjesit te sotem  | ABC News Albania

SHKARKO APP