Parandalohet vrasja e çiftit në Tiranë. Policia jep detajet se si nisi konflikti
Policia e Tiranës ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti, që mund të kishte përfunduar me vrasjen e një çifti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën ‘Besim Alla’ në kryeqytet.
Njoftimi i plotë:
Parandalohet nga shërbimet e Policisë, përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti që mund të përfundonte në vrasje të dyfishtë.
Tentoi të godiste me mjet, një shtetas dhe bashkëshorten e tij, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në bulevardin “Migjeni” po konfliktoheshin dy shtetas, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.
Rastësisht në vendngjarje është ndodhur një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ka ndërhyrë menjëherë. Falë ndërhyrjes së tij në kohë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit që mund të përfundonte në një vrasje të dyfishtë, pasi shtetasi T. M. po tentonte të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij. Në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur më pas edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit T. M.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri me grushte me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, shtetasi T. M. ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 39 vjeç, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe’’Plagosja e lehtë me dashje’’.
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.