Parashikimi i mjekëve të njohur shqiptar për fundin e Covid-19

Në vendin tonë, deri më tani kanë rezultuar pozitiv 53425 raste, dhe janë shënuar 1098 viktima nga Covid-19. Mjekët e njohur, që për 9 muaj pandemi kanë qenë në valën e parë të luftës me virusin: Skënder Brataj, drejtor i urgjencës kombëtare, mjeku Dritan Ulqinaku, epidemiogu Ilir Alimehmeti, Aurora Dollenberg, mjeke në Gjermani dhe Lusinda Osmanagaj, mjeke në Itali dhanë parashikimet e tyre. Teksa e cilësoi këtë vit si një vit sprovash të mëdha, Skënder Brataj tha se pandemia nuk mbyllet në 2020. Sipas tij me gjithë sfidat që solli kjo pandemi, na bëri që të reflektojmë në shumë drejtime sa i përket funksionimit të sistemit shëndetësor publik.

Për mjekun Dritan Ulqinaku viti 2020 na tregoi se ky virus është përshtatur shumë me organizmin tonë dhe bashkëjetesa me të do të jetë e gjatë. ”Shpresojmë që të kalojmë në normalitet, që do të thotë se virusi do të vazhdojë të jetë në qarkullim, por të mos jetë emergjent. Edhe pas një viti ende nuk dimë shumë për virusin. Ka gjëra që nuk janë provuar ende si p.sh., pse gratë preken më pak, pse kjo grupmoshë e caktuar etj.”, tha mjeku Ulqinaku.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, thotë se njerëzimit do t’i duhet të bashkëjetojë me këtë virus, edhe pse nuk dihet ende se për sa kohë. Sipas tij, ky virus do të marrë rrugën e shumë sëmundjeve të tjera që mund të jenë shumë më tepër vdekjeprurëse se Covid-19 dhe mund të përsëriten nëse nuk mbahen nën kontroll përmes vaksinimit.

Kurse mjekja shqiptare në Gjermani Aurora Dollenberg tha se masat e marra këtë fundvit nga shteti gjerman, kur janë aplikuar kufizime shumë të rrepta, janë një përpjekje për të korrigjuar gabimet e bëra në verë, kur njerëzit u lejuan të bënin pushime e të grumbulloheshin duke sjellë rritje të madhe të numrit të infeksioneve. Sipas Dollenberg pasojat e kësaj pandemie në shëndetin mendor të njerëzve do të jenë afatgjata dhe do të shtrihen padyshim në vitin 2021. “Sot po i japim prioritet shëndetit të njerëzve, por po injorojmë shëndetin mendor. Duke kufizuar në maksimum takimet mes njerëzve, edhe të një familjeje, sigurisht që kjo do të lërë pasoja afatgjata”, u shpreh ajo.

Për Lusinda Osmanagaj, mjeke në Itali, megjithëse ky shtet ishte nga më të prekurit nga pandemia duke kolapsuar sistemin shëndetësor, kurba e infektimeve në dhjetor ka ardhur në rënie. Ajo u shpreh optimiste se fundi i pandemisë është i afërt, për më tepër që për pak ditë nis vaksinimi. ”Lajmet e mira kanë ardhur, përmes tamponëve të shpejtë dhe dedektimi dhe izolimi i rasteve ka qenë shumë më i shpejtë dhe më tej ardhja e vaksinës. Më në 27 dhjetor fillon vaksinimi me vaksinën Pfizer”,-u shpreh mjekja.

Marrë nga /Euronews Albania/

SHKARKO APP