Parashikimi i motit për ditën e sotme, e diel 17 mars 2024, paradite e kthjellët dhe pasdite me vranësira kalimtare
E diela do të mbizotërohet nga një mot i qëndrueshëm, me diell dhe temperatura që vijnë duke u ngritur orë pas ore. Sipas shërbimit metereologjik, MeteoAlb, si pasojë e masave ajrore të qëndrueshme me origjinë perëndimore, territori vendit tonë do të mbizotërohet përgjithësisht nga moti i kthjellët gjatë paradites.
Ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë kalim të vranësirave të cilat në zonat verilindore dhe juglindore herë pas here do të zhvillohen duke sjellë reshje të pakta shiu; më të theksuara në zonat Juglindore të territorit.
Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të dukshëm të kushteve atmosferike në të gjithë territorin e vendit.
Për sa i përket temperaturave të ajrit do të pësojnë rritje si në orët e mëngjesit edhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore 4°C deri në 23°C vlera më e lartë në rang territori.
Era do të fryjë kryesisht mesatare, por herë pas here e fortë me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi veriperëndimor; kjo do të bëjë që në brigjet detare të gjenerohet dallgëzim deri në 3 ballë.