Parkim pa pagesë në Tiranë, ja kush përfiton

 

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Bashkiak miratoi projekt-vendimin për krijimin e agjencisë 'Tirana Parking', që do të administrojë parkingjet e qytetit, si dhe tarifat për disa nga rrugët ku parkimi do të jetë me pagesë.

Ky vendim, përveçse sjell një reduktim të tarifave të vendosura që në vitin 2003, ku çdo parking në rrugët e Tiranës tarifohej me 100 lek/ora, bën edhe një ndarje në 4 Zona, duke sjellë rregull në tarifat e parkimit dhe rrugët ku lejohet parkimi falas për rezidentët. Sipas vendimit, rezidentët do të parkojnë falas aty ku banojnë.

“Modeli që kemi marrë parasysh është Vjena, ku qyteti është i ndarë në 24 zona të vogla. Ne e kemi ndarë Tiranën e madhe në 4 zona, ku një zonë zë pak a shumë 4 njësi vendore dhe për secilën zonë do të kemi një pullë me ngjyra të ndryshme, ku për banorët e asaj zone do të emetohet nga njësia administrative. Për makinat që përdor familja, banori rezident do marrë pullën përkatëse dhe në këto 4 zona parkimi për banorët është falas 24 orë”, tha dje Veliaj gjatë prezantimit të buxhetit në njësinë 5. Ai tha se do t’i jepet fund zënies së vendparkimeve, që i kthejnë lagjet në tregje për shitje makinash, kurse banorët e saj nuk kanë mundësi të parkojnë. Ndërkaq, rezidenti do të ketë hapësirë parkimi edhe në 1/4 e zonës brenda zonës së vet (me përjashtim të zonave të përcaktuara me sistem tarifimi). Për shembull, nëse rezidenti i Zonës A, do të shkojë në Zonën B, do të ketë mundësinë për të parkuar në 2 alternativa:

1­ në zonat e përcaktuara si të lira (40% e çdo rruge do t’i kushtohet rezidentëve).

2­ në hapësirat e përcaktuara me tarifim.

Rezidenti do të pajiset me një pullë identifikuese (me elemente sigurie dhe karakteristikat specifike, si psh ngjyra e pullës, nr. i zonës etj). Por, ajo çfarë është lehtësuese për rezidentët në Tiranë, është fakti se në ndryshim nga projekti i para dy viteve i dhënies me koncension i parkimeve, i cili e ndante Tiranën në 23 Zona dhe u ofronte mundësinë për të parkuar pa pagesë falas vetëm në 1/23 e qytetit, kurse vendimi i ri i Bashkisë e ndan qytetin në 4 Zona të Administrimit dhe shton hapësirën për parkim falas në 1/4 e qytetit, për çdo qytetar që është përdorues i mjetit motorrik.

SHKARKO APP